Tregtimi i mishit në rrugët tona është bërë prej kohësh një pamje e zakonshme për të gjithë udhëtarët që përshkojnë akset nacionale.

Shitja e tij në kushte të papërshtatshme ka detyruar inspektorët e sigurisë ushqimore në qytetin e Lezhës që të ndërmarrin një aksion për bllokimin e këtij lloji aktiviteti.

Nga inspektimi i kryer është vënë re se të gjitha subjektet që tregtojnë mish nuk plotësojnë asnjë standard të sigurisë ushqimore.

Gjon Gaspari: “Janë njoftuar pronarët e këtyre lokaleve që ato që nuk plotësojnë kushtet dhe rregulloret që trajtojnë mishin e freskët duhet t’i përmirësojnë këto, në të kundërt duhet të mbyllin aktivitetin. Ky është një veprim që shkon në krah konsumatori, shkon në krah të përmirësimit të kushteve”.

Për kryerjen e këtij aksioni inspektorët e Ministrisë së Bujqësisë kanë kërkuar dhe ndihmën e pushtetit vendor.

Në superstradën që përshkon qarkun e Lezhës ushtrojnë aktivitetin e tyre nëntë subjekte të kësaj natyre./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle