Dy ditë para ndeshjes me Italinë, trajneri Sylvinho e ka ulur intensitetin e stërvitjes me futbollistët e Kombëtares. Seancat kanë zgjatur 1 orë e gjysmë, por janë ndarë mes palestrës së fushës. Tekniku ka vendosur lojtarët në situata të ndryshme lojë, por edhe në goditje standarde drejt portës, ose me skema.
Thuajse çdo ditë ka zhvilluar edhe ndeshje kontrolli, por ka përdorur formacione të ndryshme duke provuar futbollistët dhe për këtë arsye ende nuk kuptohet qartë se cili do të jetë formacioni titullar për sfidën me Italinë.
Pasditen e sotme do të ketë vetëm një seancë stërvitore. Tekniku do të ndajë lojtarët në dy grupe, një në orën 16:30 dhe grupi tjetër në 17:30.
Gjatë paradites do të vijohet me analizat video.
Edhe pse futbollistët janë të motivuar dhe të gatshëm për ndeshjen me Italinë, gjithsesi pesha e një përballjeje të tillë ka filluar të ndihet në radhët e tyre. Lojtarët janë të përgjegjshëm për rëndësinë e një paraqitjeje sa më të mirë në ndeshjen e parë të Grupit B, pasi kjo do të kishte ndikim edhe në sfidat pasuese me Spanjën dhe Kroacinë.
Për më tepër edhe renditje në vendin e tretë të grupit, do të ishte një mundësi e mirë për të kaluar në fazën me eliminim direkt.
Tv Klan