Vendosja e një kryeministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut është një arritje shumë e madhe për shqiptarët atje. Talat Xhaferi, kreu i qeverisë teknike në RMV zhvilloi një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku rrëfeu detaje nga jeta e tij, si u bë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare e deri tek angazhimi i mëvonshëm në politikë.

“Mendimi i shumicës që dilnim nga UÇK ishte që të themelojmë subjektin tonë politik që punët tona të ecin përmes subjekteve politike jo të mbështetura diku tjetër. Dhe kështu themelohet më 5 Qershor 2002 BDI-ja”, tha ai.


E kështu që pas luftës, tashmë ai është prej 22 vitesh aktiv në politikë. Mbi supe ka 6 mandate si deputet, ku në 2 prej tyre ka shërbyer edhe si kryetar Kuvendi. Ndër rolet që ka pasur ka qenë edhe ai i zv/ministrit të Mbrojtjes, ku tregoi për gazetarin Blendi Fevziu se dy vite pas luftës, duhej të komunikonte me ata që më parë luftonte.

“Në 2002-2004 isha deputet. Në 2004-2006 për herë të parë bëhem zv/ministër i mbrojtjes dhe pas 2 vjetëve të luftës bëhesh zv/ministër për të komunikuar me atë me të cilin deri dje ke qenë në njësi, ke luftuar, por kthehesh të jesh “mbi” ta në kuptimin politik. Normal që ato tabu janë thyer”, tha ai./tvklan.al