Albgaz: Po studiojmë furnizimin me teknologjinë virtuale të gazit
Ndërtimi i gazsjellësit TAP në Shqipëri është drejt përfundimit, ndërsa testimi i tubacioneve do të bëhet në fund të këtij muaji me qëllim që tubacioni të jetë operativ në Vjeshtë të këtij viti.
Administratori i Albgaz, shoqërisë publike të gazit në vendin tonë, Arbër Avrami, thotë se nga ana shqiptare i gjithë stafi është gati për të bërë mirëmbajtjen e gazësjellësit në zonën ku kalon tubacioni, ndërsa pritet të bëhen edhe ofertat për të rezervuar sasitë e gazit që do të duhen për përdorim të brendshëm.
Shqipëria është duke studiuar mundësinë për të përdorur teknologjinë virtuale, e cila transporton gazin përmes auto-cisternave në zonat që ka kërkesë për këtë lëndë, dhe pa u nevojitur kosto shtesë për ndërtimin e tubacioneve. Avrami sqaron se në këtë projekt po vjen në ndihmë edhe Departamenti i Energjisë në SHBA.
Në vitin 2021, Shqipëria do të përfundojë pikën dalëse të gazësjellësit në Fier, i cili më pas parashikohet të lidhet përmes një tubacioni 35 kilometra të gjatë me Vlorën për të vendosur në punë termocentralin. Të dyja këto stacione më pas do të shërbejnë për të furnizuar me gaz qytetin e Fierit dhe të Vlorës.
Fillimisht mendohet që në fazën e parë të vendoset në punë TEC-i i Vlorës, konvertimi i të cilit nga naftë në gaz parashikohet të përfundojë brenda 3 vjetëve, e më pas gazi do të përdoret fillimisht nga industria, për t’u shpërndarë më pas në banesat rezidenciale, duke u përqëndruar te qarqet Fier, Vlorë, Tiranë dhe Durrës.
Tv Klan