Politikanët dhe skuadra që fshihet pas fushatës elektorale po e përqendrojnë gjithnjë e më shumë vëmendjen tek të dhënat e individëve, kur vjen puna për të marrë votën e tyre. Jemi padyshim në epokën e “të dhënave masive”. Sasia e informacionit që secili prej nesh krijon dhe e bën të prekshme nga të tjerët duke ndarë gjëra nga përditshmëria, po rritet në mënyrë eksponenciale. Bizneset, qeveritë dhe organizatat e tjera, çdo ditë e më shumë po fokusohen për të analizuar këto të dhëna për të mësuar më shumë rreth nesh, për të parashikuar sjelljet, e për të na shitur produkte.
Sigurisht nuk duhet harruar se edhe politikanët janë “shitës”. Vitet e fundit është mëse e qartë që kanë marrë leksione nga bota e teknologjisë. Logjika dhe segmentizimi i audiencës nga kompani të mëdha si Amazon apo Facebook padyshim që i ka frymëzuar për t’u përgatitur dhe për t’u siguruar se kanë shënjestruar audiencën e duhur, në momentin e duhur.
Kjo nisi fillimisht në Amerikë. Me mbështetjen e madhe të Silicon Valley, ku ziente teknologjia, Barack Obama rrëmbeu fitoren në zgjedhjet e 2012 -ës. Strategjia e të dhënave masive, u konsiderua si një faktor tepër i rëndësishëm në fitoren e tij. Obama mblodhi një grup prej 100 ekspertësh analitikë në zyrat qendrore të asaj që njihet si “the cave” (shpella), për të mbledhur sa më shumë informacion të mundeshin dhe më pas të krijonin një model algoritmi të sofistikuar, i aftë për të parashikuar dhe për ta përdorur në funksion të të dhënave.
Fokusi kryesor i të dhënave personale është identifikimi i kufijve, grupet kryesore demografike apo zonat gjeografike që mund të jenë të lunkundura, me mjaftueshëm peshë për ta kthyer rezultatin e përgjithshëm në favor të tyre.
Pesë vite nga fitorja e dytë e Obamës, manovrat e Trump gjatë fushatës për Shtëpinë e Bardhë mund të përshkruhen si një “grusht” ndaj kësaj strategjie. Fillimisht ai shprehu mospëlqimin e tij ndaj idesë së përdorimit të të dhënave dhe analitikave në fushatë zgjedhore, duke i konsideruar të “mbivlerësuara”.
Megjithatë, shumë pak kohë më vonë, u bë mëse e qartë se ose ai ndryshoi mendim, ose me shumë gjasë, dikush në skuadrën e tij e bindi se nuk ishte ide e mirë të përballej me Hillary Clinton pa pushtetin e teknologjisë.
Ashtu siç dihet, trupa e elektorale e Trump punësoi Cambridge Analytica. Metoda e përdorur prej tyre përfshinte të ndërtuarit profilet e detajuara psikologjike të njerëzve dhe individëve, bazuar në mbi 5 mijë të dhënash për person. Disa prej këtyre të dhënave u mblodhën nga të dhënat publike, ndërsa pjesa më e madhe u sigurua nga agjenci të tilla si ato të marketingut apo nga rrjetet sociale.
Në këtë anë të Atlantikut, politikanët janë po aq të ndërgjegjshëm për vlerën që kanë të dhënat tona në fushatën e tyre elektorale.
Edhe në Britani, gjatë zgjedhjeve të 2017 –ës Partia Konservative do të mbështetet fort tek platforma e saj e database dhe analitikës e njohur si VoteSecure. Laburistët përdorin një sistem të ngjashëm të quajtur Contac Creator. Rezultati është që votuesve u trokitet në derë përgjatë muajve në vijim, nga dikush që kërkon të sigurojë votën e tyre dhe kjo ka gjasë të ndodhë pasi të dhënat i tregojnë se vota specifike e një personi të caktuar është e vlefshme për ta.
Edhe vendimi i Theresa May për të “zënë në pritë” opozitën me zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, me gjasë është influencuar nga analitika e votuesve, që mund t’i ketë treguar se mbështetja mund të jetë shumë herë më e ulët në 2019 –ën nga sa është tani, nëse negociatat e Brexit nuk shkojnë siç duhet.
Ndoshta, me të drejtë, ky fakt mund të krijojë një ndjenjë jo të mirë tek shumë njerëz. Potenciali që të dhënat tona të përdoren jo vetëm nga politikanët, apo nga kompanitë e marketingut, e deri tek kriminelët, në kundërshtim me interesat tona, është i qartë. Rreziku është i qartë dhe po shihet si i tillë nga struktura të ndryshme. Në Britani, Zyra e Komisionerit të Informacionit, njoftoi nisjen e një ankete për të parë sesi përdoren të dhënat personale në fushata elektorale.
Masa të tillë, që shkojnë paralel me legjislacionin e ri mbi të drejtat e privatësisë, e tillë siç është Rregullorja e Përgjithshme Europiane e Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR), janë një lajm i mirë për të gjithë ata që e shohin qartë potencialin e madh që kanë të dhënat personale të secilit prej nesh.
Problemi qëndron që edhe në vendet më të përparuara, legjislacioni ka mbetur prapa në raport me avancimin e teknologjisë. Sipas Rregullores në fjalë, specifikohet se organizatat mund të përdorin të dhënat personale për qëllimin e vetëm për të cilën ato janë dhënë. Në teori, kjo do të thotë se nëse nuk duam që partitë politike të mbledhin të dhënat tona, t’i përdorin për të marrë vendime sesi të rrëmbejnë votën tonë, mund t’u themi atyre fare lehtë jo.
Por do të jetë koha ajo që do të tregojë sesa efektivë do të jenë mekanizmat që po aplikohen për të parë nëse do të funksionojnë në realitet.
Nga këndvështrimi i një votuesi, partitë që kanë mundësinë të njohin kaq mirë elektoratin, duhet të sjellin si rezultat prezantimin e kandidatëve më të përshtatshëm, për të cilët vlerat e popullit kanë rëndësi.
Në teori kjo duhet të ishte një gjë shumë e mirë për demokracinë, por çështja ndryshon nëse premtimet e bëra në fushatë i lenë mënjanë një moment që ulen në karrigen e pushtetit.
Burimi: The Guardian/Bernard Marr
Shqipëroi: tvklan.al