Kryeministri Rama së bashku me dhjetëra liderë evropianë do të marrë pjesë në samitin e katërt të Komunitetit Politik Evropian që mbahet në Londër.
Kreu i qeverisë shqiptare, do të bashkëdrejtojë me homologen Melonin panelin për temën e migracionit pas suksesit në marrëveshjen mes tyre në përballimin e këtij fenomeni.
Marrëveshja mes Romës dhe Tiranës është tashmë model i suksesshëm për përpunimin e kërkesave për azil në vende të treta jashtë BE-së pas anulimit të asaj mes Britanisë së Madhe dhe Ruandës.
Samitit do t’i mungojë Ursula Von der Leyen, e cila e ka anashkaluar samitin pasi pret që të votohet në Parlamentin Evropian për një mandat tjetër pesë vjeçar si presidente e Komisionit të ri Evropian. Do të jetë samiti i parë që organizon kryeministri britanik Starmer në Pallatin Blenheim në Oxfordshire vendlindja e Winston Churchill.
Britania e Madhe u largua nga BE në 2020 ndaj Starmer synon që të rivendosë marrëdhëniet me BE-në. Krahas përballimit të emigracionit të paligjshëm në samitin e Londrës do të diskutohet edhe për rritjen e tregtisë, investimeve si dhe për çështjet sigurisë e mbrojtjes kolektive sidomos në kushtet e agresionit rus ndaj Ukrainës.
Klan News