Plazhe me rërë të bardhë, pamje nga Oqeani Atlantik dhe shumë nuditet, janë këto elementët që përbëjnë Kalendari Pirelli 2025.
Numri i fundit i këtij kalendari, i publikuar çdo vit shfaq imazhe të një sërë yjesh nga bota e televizionit, filmit, muzikës dhe modës.
Në vitet e kaluara, supermodelet si Naomi Campbell, Cindy Craëford dhe Kate Moss kanë zbukuruar faqet e këtij kalendari me foto të realizuara nga fotografët e njohur Terenes Donëvan, Riçard Ëvidën dhe Hërb Rits.
Për numrin e fundit, fotografi me bazë në Nju Jork, Ethan James Green ka në fokus të aparatit të tij 12 talente të moshave të ndryshme, duke përfshirë modelen dhe prezantuesen e njohur Padma Lakshimi, yllin francez të filmit Vincent Cassel, aktori amerikan Hantër Shejfër, këngëtaren italiane Elodie dhe vetë fotografi 34-vjeçar, fotoja nudo e të cilit përfaqëson muajin Nëntor.
Ndër ata që ka pozuar për këtë kalendar është edhe aktori Xhon Boega i cili ka rrefyer edhe rreth kesaj eksperiencë të re.
“Ishte një nga ata kalendarët e shtrenjtë që dikur motra ime blinte dhe unë e pyesja, çfarë është? Kështu që kur më propozuan të isha pjesë, unë telefonova menjëherë motrën time dhe i thashë se do të isha pjesë e kalendarit për të cilën ajo kishte vite që ishte e fiksuar.
Sigurisht, ajo më inkurajoi. Më pas telefonova aktoren Jodie Turner-Smith, e cila kishte qenë pjesë e këtij kalendari dhe ajo më tha se puna kishte qenë fantastike. Unë kam mbështetur gjithmonë pranimin e të gjitha llojeve të ndryshme të standardeve të bukurisë, kështu që për mua ishte një mundësi e shkëlqyer për të shkuar në plazh dhe për të pozuar”.
Ftesa për të qenë pjesë erdhi kur aktori ishte duke u përgatitur për një rol në një projekt të ri kinematografik.
“Unë isha duke u stërvitur për një film të ri në Hollivud. Kështu që ftesa më erdhi në një kohë kur isha në gjysmë të rrugës për të patur një trup perfekt. Trupi im kishte ende nevojë për stërvitje, por kjo ishte e gjithë çështja pra që të mos jetë perfekt dhe kjo është ajo që më pëlqeu më shumë”.
Titulluar “Rifresko dhe Zbulo”, numri 51 i kalendarit sjell personazhe të njohura që shfaqen në poza të ndryshme dhe të zhveshur.
Të fotografuar si në tokë ashtu edhe në det, kalendari i ri është është shumë larg nga tema “Timeless” e vitit të kaluar ku përdoreshin shumë ngjyra pasi këtë vit dominojnë vetëm ato bardhë e zi.
Kalendari i realizuar në Miami, ” Rifresko dhe Zbulo” është, siç, tregon edhe emri, një “rifreskim” i origjinës së kalendarit të vitit 1964, ku fotografi britanik Robert Freeman realizoi foto të ndryshme të modeleve Jane Lumb dhe Sani Drein në plazhet e Spanjës.
Në këtë projekt kontribut ka dhënë edhe Tonne Goodman, ish-drejtori i modës i American Vogue i cili shërbeu gjithashtu si drejtor i modës dhe konsulent kreativ i projektit.
“Është emocionuese t’i rikthehesh nuditetit dhe fotove seksi sepse bota ka ndryshuar shumë dhe koncepti i bukurisë është zgjeruar. Ta tregosh këtë është vertetë emocionuese, veçanërisht edhe puna me Tonin pasi ne dëshirojmë që modelet të ndihen rehat dhe duam t’i bëjmë pjesë të procesit”.
Fotografi dhe ekipi i xhirimeve në tërësi duket se e kanë realizuar me sukses këtë mision.
Ethan ka modeluar vetë në të kaluarën dhe e di si është të jesh në pozicionin e fotografit por edhe të modelit. Në këtë kalendar i bën të dyja këto role.
“Ka qenë një punë vërtetë argëtuese, unë kam modeluar kur kam qenë më i ri, kështu në fakt kam mësuar edhe artin e fotografisë, kështu që të jem në gjendje t’i rikthehem modelingut, duke qenë personi që jam tani dhe duke qenë më i sigurt dhe i aftë për të punuar me ekipin ka qënë me të vërtetë fantastike sepse jam ndjerë shumë mirë dhe shumë rehat”.
Vitet e fundit, u zgjodhën modele të veshura dhe për këtë arsye ky numër konsiderohet një rikthim në të kaluarën.
“Mendoj se ky kalendar po kthehet në traditën e kalendarit të viteve ’80 dhe ’90, por me një sy të freskët të një fotografi të ri në gjendje të kombinojë të kaluarën dhe të ardhmen. Kështu që kjo është ajo që më pëlqen në këtë kalendar të ri”.
Nënkryetari ekzekutiv i Pirelli, Marco Tronketti Provera, tha se edicioni i vitit 2025 nuk dëshiron të dërgojë mesazhe.
“Pas saj është liria absolute e artistit, kështu që nuk do të mund të them nëse sensualiteti i këtij kalendari të ri po shkon pas apo ec përpara”, tha Tronchetti Provera për ANSA.
“Bukuria nuk ka gjini dhe moshë. Ajo mbetet një objekt artistik dhe i tillë duhet konsideruar”, thotë ai.
Kalendari Pirelli, i quajtur “The Cal”, u botua për herë të parë në vitet 1960.
Dikur ishte një dhuratë për garazhet dhe shitësit e makinave për t’u varur në zyrat e tyre, por sot ky kalendar është bërë ndoshta më i njohur se prodhuesi italianë i gomave.
Gjatë dekadave, kalendari ikonë ka paraqitur punën e disa prej fotografëve më të njohur të botës.
Klan News