Tirana do të jetë kundërshtari ndaj të cilit do të debutojë, Ernest Gjoka në stolin e Skënderbeut. Tekniku 54-vjeçar është prezantuar para mediave si “timonieri” i ri i korçarëve, teksa është shprehur tepër optimist për këtë aventurë të re te “ujqërit e dëborës”.

Ernest Gjoka, trajner i Skënderbeut: Puna jonë në ditë të vështira matet dhe vlerësohet. Sigurisht që ishte e lehtë në sensin që kur të vjen një propozim nga presidenti Takaj për “Skënderbeun” nuk mund të thuash dot jo. Unë e kam marrë me një dëshirë shumë të madhe edhe pse është në një situatë jo shumë të mirë “Skënderbeu”. Ndoshta duhet të ishte më sipër në tabelë, por vështirësitë e punës sonë këto janë, që do të thotë se në momente të caktuara provohet se kemi eksperiencë, ta japim dhe të bëhet mirë për një skuadër si “Skënderbeu”.
I lumtur për këtë bashkëpunim u shfaq edhe presidenti i klubit, Ardian Takaj.

Adrian Takaj, president i Skënderbeut: Falenderojmë për këtë punë 2-vjeçare, ke bërë një punë shumë të mirë megjithatë rezultatet janë ato që e dëmtojnë trajnerin dhe erdhi një moment që rrugët tona u ndanë. Unë nuk iki nga pretendimet, nuk kemi ardhur në Superiore vetëm për të qenë pjesë. Ne që nga fillimi i sezonit kemi pasur pretendime, e kemi skuadrën, e njohim shumë mirë cilësinë e Kampionatit Shqiptar dhe të skuadrës, nuk kemi pretendime të kota në ajër. I kemi pretendime reale.

Ernest Gjoka ka firmosur për një sezon e gjysme me skuadrën e Skënderbeut, drejtimin e së cilës e merr për herë të parë në karrierë. Në eksperiencën e tij si trajner, 54-vjeçari ka drejtuar Apoloninë, Kamzën, Tomorin, Flamurtarin, Kukësin, Vllazninë, Shkëndijën dhe Ohod në ArabI.

Pesë trofe ka fituar Gjoka në karrierë. Kampionatin, Kupën dhe Superkupën me Kukësin, Kupën e Shqipërisë me Flamurtarin dhe një titull kampion i Maqedonisë së Veriut me Shkëndijën. Trajneri ka një detyrë të vështirë, pasi pas javës së 15-të Skënderbeu me 13 pikë mban vendin e parafundit në renditje.

Klan News