Humbja kundër Ukrainës e ka shtuar urinë te Gjeorgjia për fitoren në sfidën e raundit të katërt në Ligën e Kombeve. Përfaqësuesja kërkon ta lejë pas dështimin 1-0, e për këtë ka nevojë për një fitore kundër kuqezinjve përpara tifozerisë së vet.

Pas takimit, trajneri Vili Sanjol u shpreh se rezultati tregon se te Gjeorgjia ka ende shumë punë për të bërë, ndërsa synimi është që ekipi të përmirësohet edhe më. Ndërsa qendërmbrojtësi Guram Kashia kërkon përqendrim për sfidën e radhës.

“Me Ukrainën nuk luajtëm në nivelin e ndeshjeve të mëparshme, por nuk ka justifikime. Duhet të rikuperohemi sa më shpejt dhe të luajmë për të fituar ndeshjen e radhës. Jam i sigurt se në sfidën me Shqipërinë do të paraqitemi më mirë në fushën tonë. Ne u mundëm, por asgjë nuk ka përfunduar! Kjo është pjesë e rrugëtimit tonë!”, tha Kashia.

Mesfushori Otar Kiteishvili tha pas takimit se sfida do të analizohet dhe do të nxirren mësime nga gabimet. Por Gjeorgjia ka shansin që ta lërë pas rezultatin zhgënjyes me Shqipërinë.

“Shpresoj që të përgatitemi sa më mirë për takimin e radhës dhe të tregojmë se mund të luajmë futboll shumë më të mirë! Faleminderit tifozëve gjeorgjianë që ishin me ne gjatë gjithë lojës. Është për të ardhur keq që nuk arritëm rezultatin e dëshiruar dhe shpresoj që këtë ta korrigjojmë në takimin e radhës në Tbilisi”, u shpreh Kiteishvili.

Gjeorgjia ka 6 pikë pas tri takimeve në Grupin B1 të Ligës së Kombeve, kurse Shqipëria vetëm tre. Gjeorgjianët fituan në Tiranë me rezultatin 1-0, e do të tentojnë të njëjtën gjë edhe më 14 tetor. Ndeshja do të transmetohet ekskluzivisht në Televizionin Klan.

Klan News