Ajo që supozohej të ishte ditë e shenjtë, rezultoi në një tragjedi të vërtetë. Të paktën 40 persona kanë humbur jetën si pasojë e kaosit të krijuar gjatë festivalit më të madh fetar në botë ai i “Maha Kumbh Mela” në Indi.

Viktimat janë konfimuar nga burime policore për Reuters, por ende nuk ka të dhëna zyrtare.

Incidenti ndodhi kur disa pelegrinë u përpoqën të kalonin barrierat e vendosura nga policia për të ndalur turmën.

Nga kjo lëvizje u krijua një situatë kaotike ku me qindra njerëz janë shtypur me këmbë nga turma.

Familjet e shqetësuara u mblodhën jashtë qendrave të përkohshme mjekësore, duke kërkuar për të afërmit e zhdukur, ndërsa ekipet e urgjencës morën të plagosurit.

Thuajse 100 milionë besimtarë mblidhen në qytetin Prajagraj, në vendin ku bashkohen 3 lumenj. Ata hidhen në ujë për atë që quhet “zhytje e shenjtë” e cila sipas fesë garanton pastrimin shpirtëror nga të gjitha mëkatet.

Pavarësisht jetëve të humbura apo personave të zhdukur pelegrinët vijuan me ritet fetare.

Kryeministri Narendra Modi shprehu ngushëllimet e tij për ata që kanë humbur jetën, ndërsa partitë opozitare fajësuan për tragjedinë keqmenaxhimin e situatës nga autoritetet.

Klan News