Lajme Arkiva 2003

Sikurse deklaruan gjatë konferencës së djeshme për shtyp, ish të përndjekurit politik kanë dalë në një protestë paqësore përpara Kryeministrisë.

Gjatë protestës së tyre të përndjekurit e drejtuar nga Adem Allci, kanë shpalosur publikisht platformën për integrimin e tyre në të cilën paraqiten kërkesat që do ti paraqiten qeverisë për zgjidhje.

Disa nga pikat e përfshira në këtë platformë ishin, dëmshpërblimi i të burgosurve dhe të përndjekurve politik. Të bëhet në bazë të nenit 7 të ligjit 7748 dhe të filloj brenda muajit gusht.

Të pushkatuarit politik të shpallen ‘dëshmorë të kombit” dhe të dëmshpërblehen me pagesë për çdo ditë burgu deri në 8 vjet, pensionet e të përndjekurve të jenë maksimal.

Duke u bazuar në statusin e të pastrehëve të fillojë menjëherë nga bashkitë e rretheve strehimi i tyre, si dhe për fëmijët e të përndjekurve të ketë bursa studimi për 1 periudhë 4 vjeçare. Sekretari i kësaj shoqate Argent Grabova ka deklaruar edhe njëherë bisedimet që Kurt Kola ka nisur me qeverinë.

“Ne nuk gënjehemi se këta janë akoma gjithmonë me idenë e mashtrimeve dhe të premtimeve të tyre siç kanë filluar që nga 45. Ne themi sa është limiti kohor i zgjidhjes së problemit”.

Ish të përndjekurit janë shprehur të vendosur që të vazhdojnë protestën e tyre në kundërshtim  me shoqatën e Kurt Kolës që vendosi të pezulloj për një javë protestat për ti dhënë kohë qeverisë dhe kryeministrit Nano për të zgjidhur kërkesat e tyre.

Pasi kanë qëndruar para kryeministrisë për disa minuta ku ka mbajtur dhe një minutë zi dje në Elbasan, protestuesit kanë ndjekur ritualin, i janë drejtuar sheshit Nënë Tereza./tvklan.al