Diskutimi i “Shije Shtëpie” në Tv Klan kaloi nga kampet e përqendrimit në Aushvic te kampet e internimit në Tepelenë dhe Kamzës. Gazetarja Admirina Peçi shpjegon se këto kampe të cilat u ngritën menjëherë pas luftës në 1994-1945 dhe u mbyllën në 1954, kishin ngjashmëri të madhe me kampet naziste. Një veçori që i diferenconte ishte mungesa e krematoriumeve, por karakteristika e përbashkët ishte zhveshja e njeriut nga dinjiteti dhe identiteti për t’i lënë vetëm instinktin e mbijetesës.

Admirina Peçi: Edhe të vdekurit në Shqipëri nuk është se trajtoheshin në mënyrë më dinjitoze sepse groposeshin në një gropë, pastaj kur nuk dilte vendi i zhgroposnin dhe i vinin në anë të një lumi siç  ka ndodhur në Tepelenë dhe zhdukeshin, eshtrat e tyre janë të zhdukura, një pjesë e madhe e eshtrave të këtyre kampeve janë zhdukur. Nuk është se trajtoheshin me dinjitet, ishte i njëjti sistem, e njëjta dietë ushqimore shumë e varfër në kufijtë e mbijetesës e cila nuk ishte rastësore as kjo sepse ishte përllogaritur që ata të denatyroheshin si qenie, të mos mendonin, të mendonin vetëm urinë, atë emergjencën që kishin të përditshme, mbilodhjen fizike me këtë uri që ishte e pranishme gjithë kohën dhe duke qenë kështu ata nuk mund të mendonin për një revoltë, për një reagim, për një arratisje. Pak njerëz arritën të mendonin për një arratisje dhe u arratisën, ka pasur disa raste për fat të mirë që kanë shkuar edhe në Perëndim dhe e kanë treguar.

Peçi shton se edhe personat që përzgjidheshin për të operuar në sistemin e kampeve ishin të  interesuar vetëm për të krijuar një emër për veten, pavarësisht kufijve që shkelnin. Dëshmitarët që ajo ka intervistuar përmendin “hetues të egër, të pashpirt që janë kriminelë të lindur”, u shpreh Peçi./tvklan.al