Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas një kohe të gjatë qetësie, salla e Teatrit Kombëtar do të hapet sërish për publikun e gjerë. Tashmë mund të thuhet se ka përfunduar faza e parë e rikonstruksionit të këtij teatri, e cila kapi shifrën e 90 milion lekëve dhe që rehabilitoi përkatësisht, fasadën kryesore, të Teatrit Kombëtar, disa nga ambientet e brendshme të tij, si dhe hollet e këtij teatri.

Rikonstruksioni i Teatrit Kombëtar do të vazhdojë edhe më tej, pasi aktualisht Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve ka miratuar edhe një fond tjetër prej 200 milion lekësh, për rehabilitimin e plotë të kësaj godine, e cila për 40 vjet me radhë ka shkruar historinë e teatrit shqiptar. Tani, sipas drejtorit Qirjaqi, mbetet vetëm të ecet përpara me ide dhe projekte të reja, që do ta çojnë më tej punën e këtij institucioni.

Agim Qirjaqi:- “Pastaj për menaxhimin, për një reformë më ndryshe, se ne kemi ndërtuar dhe një statut të ri, një koncept të ri, një politikë kulturore, që duam t’i japim një vizion më ndryshe, duke u mbështetur në traditën e hershme, por edhe në një koncept në ekonominë e tregut. Kështu që duhet edhe gjak i ri, çuna të rinj, që ta menaxhojnë në mënyrë më të kohës”.

Nesër do të bëhet edhe inaugurimi i përfundimit të fazës së parë të rikonstruksionit të teatrit. Me këtë rast, do të ngjitet në skenë edhe pjesa “Kopshti me Dallëndyshe”, realizuar nga regjisori Kiço Londo.

Më parë ishte planifikuar që Teatri Kombëtar të riniste punën e tij, me pjesën “Portreti i Dorian Greit”, por për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të aktorit kryesor Ndriçim Xhepa, kjo shfaqje u shty për një afat të pacaktuar./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora