Prokuroria e Tiranës ka administruar të gjithë dokumentacionin që kompania “DH Albania” dorëzoi në dy institucionet nga të cilat fitoi dy tenderë me vlerë 30 milionë euro. Autoritetit Rrugor ka vënë në dispozicion të hetuesve të gjithë procedurën e tenderimit të lotit të parë të Unazës së Re, për të cilin do të lëvroheshin 18 milionë euro. Ndërsa OST, procedurën e tenderimit të 12 milionë eurove, për ndërtimin e linjës 220 kilovolt Burrel-Peshkopi.
Grupi hetimor do të verifikojë hap pas hapi të gjitha veprimet e drejtuesve të kompanisë “DH Albania” dhe posaçërisht të Avdjol Dobit, përfaqësuesit ligjor të saj. Në fokus të hetimeve janë falsifikimi i dokumenteve nga “DH Albania” dhe mënyra se si tenderi iu dha një kompanie fantazmë, me përfaqësues një 26-vjeçar, që punën më të rëndësishme përpara se të përfaqësonte ligjërisht këtë kompani, ka pasur atë të recepsionistit në një spital privat.
Pas këqyrjes së këtyre materialeve voluminoze nga ARRSH dhe OST, Prokuroria pritet të lëshojë dhe fletëthirrjet e para. Burime të Prokurorisë thanë se do të merren në pyetje të gjithë personat e përfshirë në dy tenderët. Deri tani, në dokumentet e kompanisë rezultojnë emrat e përfaqësuesit ligjor, Avdjol Dobi, të noteres Xhevahire Brahja dhe përkthyeses Shenda Kruja, e cila nuk figuron në listën e përkthyesve zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, çka do të thotë se përkthimi i saj nuk është ligjërisht i vlefshëm dhe që sipas Zërit e Amerikës është specialiste e kompanisë Gener 2, të biznesmenit Bashkim Ulaj.
Zëri i Amerikës raporton se është pikërisht Gener 2 e Ulajt, pas skandalit me dy tenderët me vlerë 30 milionë euro, se Avdjol Dobi ka lidhje familjare me biznesmenin dhe se e ka transferuar adresën e tij në kullën “ABA Business Center”, në pronësi të zotit Ulaj.
Hetuesit nuk përjashtojnë marrjen në pyetje edhe të zyrtarëve të ARRSH dhe OST, që kanë kryer procedurat e tenderimit, pasi hetimi po kryhet edhe për shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tenderë, falsifikim e mashtrim.
Në tavolinën e hetuesve është dhe përgjigjia që autoritetet amerikane i kthyen Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, në të cilin konfirmohej se firma e Sekretarit të Shtetit të Delaware dhe bilanci i kompanisë ishin të falsifikuara.
Hetimet e deritanishme në Shqipëri dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zbuluar se “DH Albania” ka falsifikuar edhe datën e regjistrimit. Kompania mëmë e “DH Albania”, “Dunwel Haberman” është krijuar në 25 Qershor 2018 dhe jo në vitin 1998, siç rezulton në dokumentet e dorëzuara në QKB. Hetimi në Prokurorinë e Tiranës është duke u kryer nga drejtuesja e këtij institucioni Elisabeta Imeraj, duke qenë se dosja është mjaft e rëndësishme.
Tv Klan