Tirana ka ndezur sot dritat e pemëve të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. I pranishëm në ndezjen e dritave në kuadër të festave të fundvitit ka qenë edhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Gjatë fjalës së tij, kryebashiaku Veliaj ka dhënë edhe një mesazh për të gjithë shqiptarët, që secili të ndezë një dritë tek zemra e tij.
“Nëse secili prej nesh e ndez dritën që e ka tek zemra e vet, është një qytetar më i mirë. Kur ne shqiptarët punojmë bashkë, secili prej nesh kontribuon që Tirana të jetë më e rregullt. Këtë Dhjetor do të doja të ju ftoja që teksa ndezim këto dritat, secili ta ndizte një dritë tek zemra e vet. Do të doja që të gjithë pas këtyre dritave të ndezim dritat e zemrës tonë për ta bërë Tiranën një qytet model. Unë krenohem që jam shërbëtor i juaji. Faleminderit nga zemra”, ka thënë kryebashkiaku Veliaj.
Aktiviteti do të pasohet me një koncert që sjell artistët më të njohur shqiptarë dhe me atmosferë magjike festive. Në spektaklin e “Natës së Bardhë” do të ngjiten në skenë artistët e mirënjohur si Alban Skënderaj, Xhensila Myrtezaj, Anxhela Peristeri, Semi Jaupaj, Sardi Strugaj dhe shumë të tjerë.
Ky koncert falas te sheshi “Skënderbej” do të mbyllet në mesnatë me spektaklin e fishekzjarreve nga Bashkia e Tiranës. Nata e Bardhë ndër vite është zhvilluar ne 29 Nëntor, por për shkak të kushteve atmosferike këtë vit zhvillohet më 2 Dhjetor./tvklan.al