Nëse kaloni nga sheshi “Skënderbej” dhe vëreni disa stola shumëngjyrësh, të vendosur në mënyrë të çrregullt, dijeni se janë një copëz Vjenë në Tiranë. Vijnë si dhuratë nga Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) dhe Raiffeisen Bank për t’i dhënë më shumë jetë e hijeshi sheshit më të madh të të gjithë shqiptarëve, por edhe mundësi për t’u çlodhur frekuentuesve të tij. Në vendosjen e 41 stolave vjenezë dje, mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Drejtoresha për Tregtinë dhe Marrëdhëniet me Jashtë dhe Menaxhere e TAP për Shqipërinë, Ulrike Andres, Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank në Shqipëri, Christian Canacaris, si dhe Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Johann Sattler.

https://www.youtube.com//embed/QGrXM9BiXug

Kryebashkiaku Veliaj falenderoi donatorët për këtë dhuratë që i bënë Tiranës dhe theksoi se stolat e rinj do të tërheqin më shumë njerëz në shesh. “

Kjo dhuratë i jep më shumë shpirt sheshit. Sheshet janë objekte infrastrukture, urbanistike, por nëse nuk kanë shpirt, njerëz dhe jetë, bëhen të padobishëm për qytetin. Sapo është larguar fshati i festave, për t’ia lënë vendin një mobilimi të ri, më pranveror, për njerëzit që do kalojnë më shumë kohë në gjelbërim, ku do të ketë shfaqje opera në natyrë apo me hapjen e Muzeut, në prag të përgatitjeve për shumë aktivitete për vitin jubilar të Skënderbeut”

, u shpreh ai.

Veliaj nënvizoi se stolat e rinj i japin sheshit “Skënderbej” më shumë mundësi për çlodhje dhe argëtim, sidomos për fëmijët. Ai tha se ky kontribut vjen si vijim i disa bashkëpunimeve që Bashkia e Tiranës ka me Bashkinë e Vjenës dhe kompanitë austriake në Shqipëri.

“U jam shumë mirënjohës dhe besoj se kontributi i një qyteti nuk është monopol i bashkisë. Me Raiffeisen Bank kemi bërë disa çerdhe, kopshte e kënde lodrash. Me TAP-in kemi filluar me këtë mobilim në sheshin “Skënderbej”, me shpresë se do të vazhdojmë me shumë pemë, kurse me ambasadën austriake do të kemi rikthimin e aktiviteteve mes Tiranës dhe Vjenës. Nëse vjet u fokusuam në Vjenë, sivjet do të jetë Vjena në Tiranë, me një kalendar fantastik si për Operan dhe Baletin, ashtu edhe të hapura për publikun në të gjithë Tiranën”

, tha Veliaj.

Ambasadori austriak në vendin tonë, Johann Sattler u shpreh se stolat e vendosur në sheshin “Skënderbej” janë një tjetër dëshmi e marrëdhënieve dhe lidhjeve që ekzistojnë tashmë me Shqipërisë dhe Austrisë. “Puna më e mirë në botë në këtë qytet është profesioni im, i Ambasadorit të Austrisë. Pse? Sepse ka kaq shumë lidhje midis nesh, midis Austrisë dhe Shqipërisë, dhe jam shumë i lumtur që kemi edhe një urë të re lidhëse mes nesh, midis shteteve tona, që janë stolat vjenezë”, tha ambasadori Sattler.

Menaxherja e TAP-it për Shqipërinë, Ulrike Andres theksoi se stolat shumëngjyrësh janë një arsye më shumë që qytetarët të vizitojnë dhe kalojnë më shumë kohë në sheshin “Skënderbej”. “

Tirana është një qytet shumë mikpritës, ku unë ndihem si në shtëpinë time. Sot, duke parë sheshin ‘Skënderbej’ me stolat e rinj, Tirana më duket akoma më e afërt pasi stola të njëjtë kemi edhe në Vjenë, ku unë banoj dhe kam familjen. Dhurimi i stolave VIENA për Bashkinë e Tiranës është pjesë e investimeve sociale dhe mjedisore të TAP-it në Shqipëri. Na vjen mirë që për t’i bërë këtë dhuratë gjetëm gjuhën e përbashkët edhe me Raiffeisen Bank, Ambasadën e Austrisë dhe Bashkinë e Vjenës”

tha Andres.

Drejtori i Raiffeisen Bank, Christian Canacaris, u shpreh i kënaqur për mbylljen me sukses të një tjetër bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës. “

Ne e dimë se Raiffeisen gjithmonë ka ndihmuar bashkinë e kryeqytetit dhe jemi krenarë të ndihmojnë Erionin. Ai ka bërë shumë punë të mira si kryetar bashkie dhe do të vazhdojmë të sponsorizojmë nisma të tilla. Sigurisht, tani na duket sikur jemi në Vjenë dhe me bankën do të vazhdojmë të ndihmojmë për të gjitha aktivitetet në Tiranë”

, tha Canacaris.

Në sheshin “Skënderbej” janë vendosur 41 stola vjenezë, të cilët përveç funksionit parësor si stola, janë përdorur nga Bashkia e Tiranës për të t’i dhënë akoma më shumë ngjyra sheshit kryesor të qytetit. Stolat VIENA janë prodhuar nga Muzeu Quartier i Vjenës dhe vlera për 36 stolat që iu dhuruan Bashkisë së Tiranës është 70’000 euro, ku TAP ka kontribuar me 42’000 euro dhe Raiffeisen Bank me 28’000 euro. Gjithashtu, edhe Ambasada e Austrisë në Shqipëri dhe Bashkia e Vjenës kanë dhuruar 5 stola të tjerë VIENA. Stolat shumë-ngjyrësh janë shumë popullor në qytetet evropiane. Disa prej shesheve kryesore të qyteteve, si Vjena apo Mynihu kanë stola të njëjtë më ata që janë vendosur në sheshin “Skënderbej”.

/tvklan.al