Lajme Arkiva 2004

Kjo godinë shërben si postë policie në Dhërmi, zonë në të cilën u nis gomonia e tragjedisë së 9 janarit. Në këtë postë kufitare deri në 23 Dhjetor shërbenin 18 policë, ndërsa tani vetëm 8.

Pikërisht disa qindra metra larg kësaj porte ku mungojnë mjetet më elementare të ndërlidhjes, telefoni dhe makina, është nisur gomonia e tragjedisë së 9 Janarit.

Policët tonë se  radari i tyre ka kapur sinjalin dhe ka lajmëruar eprorët në drejtorinë e policisë së Vlorës, ndërsa komandanti i kësaj poste, Vladimir Kordhishta u arrestua menjëherë pas tragjedisë, i vetmi oficer policie i prangosur pas ngjarjes. Në fakt, disa ditë pas tragjedisë, dy ministritë që u morën më tepër me këtë ngjarje, ofrojnë dy orare të  ndryshme.

Ministria e Rendit, thotë se e ka zbuluar gomonen rreth orës 17:40 minuta, ndërsa komandanti i bazës detare, thotë se e ka marrë këtë informacion në orën 19:40 minuta, pra dy orë më pas.

Interesant është edhe fakti nëse autoritetet shtetërore kishin informacion për numrin e personave që ndodheshin në gomone. Ja se si shprehet Shefi i Shtabit të Bazës Ushtarake Detare, i vetmi që ka folur në telefon me skafistët.

Shefi i Shtabit të Bazës Ushtarake Detare: Deri në orën 21:08 unë kam pasur tre biseda me personat që ndodheshin në skaf, të parin e kam pasur në orën 19:48, pastaj në orën 23:13 dhe në orën 21:08, informacioni më i mundshëm që munda të merrja ishte që ata ndodheshin, 4-5 milje në veriperëndim të Palasës. Atyre u ishin fikur motorët, nuk kishte dëmtime në skafin e gomones dhe se prisnin ndihmë. Unë i dëgjoja ulërimat e njerëzve dhe bëhej fjalë për një gomone të ngarkuar, ku kishte njerëz të cilët  bërtisnin dhe kërkonin ndihmë.

Megjithatë tragjedia  e fundit të paktën ngacmoi autoritetet që luftojnë krimin për të nisur sërish operacioni antitrafik në shkallë kombëtare, le të shpresojmë se fundi i këtij operacioni të mos jetë një shtëllung tymi që del nga djegia e ndonjë gomoneje./tvklan.al