Gareth Southgate, nuk është më trajner i Anglisë. Tekniku 53-vjeçar, ka dhënë dorëheqjen pas humbjes në finalen e Eurpianit ndaj Spanjës.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Federata Angleze dhe nga vetë trajneri.

“Si një anglez, ka qenë nderi i jetës sime të luaja për Anglinë dhe të drejtoja Anglinë. Ka qenë gjithçka për mua dhe unë kam dhënë gjithçka. Është koha për ndryshim dhe për një kapitull të ri. Finalja e së dielës në Berlin kundër Spanjës ishte ndeshja ime e fundit si trajner i Anglisë. Kam pasur privilegjin të drejtoj një grup të madh lojtarësh në 102 ndeshje. Secili prej tyre ka qenë krenar që ka veshur fanellën e kësaj kombëtareje.”, theksoi Southgate.

Trajneri largohet nga stoli i Anglisë, aty ku qëndroi për 8 vite, ndërsa arriti dy finale te Europianit, por nuk ia doli dot të fitojë trofeun. Në 102 ndeshje si trajner i kombëtares së “tre luanëve”, Southgate regjistroi 64 fitore, 20 barazime dhe 18 humbje. /tvklan.al