Trojka europiane ka përshëndetur sot reformat dhe progresin e Shqipërisë, duke mbështetur integrimin e vendit tonë në Bashkim Europian. Gjatë takimit vjetor në Bruksel me ministrat e punëve të Jashtme të Çekisë Karel Schwarzenberg, të Suedisë Karl Bild drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian Pier Mirel dhe drejtorin i përgjithshëm për zgjerimin në sekretariatin evropian Robert Kuper, ministri i Jashtëm Lulzim Basha konfirmoi aplikimin Shqipërisë për statusin kandidat në Bashkimin Evropian brenda presidencës çeke.

Trojka dhe Basha ranë dakord të koordinojnë ngushtë të gjitha veprimet e mëtejshme dhe bashkëpunimin e Shqipërisë me BE-në në kuadër të procesit të integrimit, përfshirë procesin  liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptar.

Trojka përshëndeti progresin e dukshëm të Shqipërisë në të gjitha fushat, si dhe vlerësoi vullnetin qeverisë për të adresuar me vendosmëri të gjitha çështjet për të cilat ka nevojë për përparim të mëtejshëm duke premtuar gjithashtu asistencë dhe mbështetje të vazhdueshme në procesin e integrimit.

Ne temën e bisedimeve mes 2 palëve  ishin dhe reforma zgjedhore, përgatitjet për këtë proces, hyrja e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit sa më shpejt në fuqi dhe përgatitjet e të gjithë infrastrukturës së nevojshme për kalimin në një fazë të re të bashkëpunimit me BE-në dhe zhvillimet rajonale e roli i Shqipërisë në rajon./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle