Duke folur para një turme mbështetësish në Arizona, presidenti i zgjedhur Donald Trump kërcënoi se do të rivendoste kontrollin mbi Kanalin e Panamasë.

Ai akuzoi Panamanë për zbatim tarifash të tepruara për shfrytëzimin e kalimit në Amerikën Qendrore dhe duke nxitur një reagim të ashpër nga presidenti panamez Jose Raul Mulino.

“Kurrë nuk do ta lejonim të binte në duart e gabuara. Tarifat që zbatohen nga Panamaja janë qesharake, shumë të padrejta. Iu dha Panamasë dhe popullit të Panamasë, por ka kushte. Nëse parimet, morale dhe ligjore, të këtij gjesti madhështor të dhënies nuk pasohen me vepra, atëherë ne do të kërkojmë që të na kthehet Kanali i Panamasë, i plotë, shpejt dhe pa diskutim.”

Në një mesazh nga presidenti panamez Mulino udhëheqësi i vendit tha se pavarësia e Panamasë ishte e panegociueshme dhe se Kina nuk kishte asnjë ndikim në administrimin e kanalit. Ai mbrojti gjithashtu tarifat. Shtetet e Bashkuara ndërtuan kryesisht kanalin dhe administruan territorin përreth kalimit për dekada. Por, në vitin 1977 Shtetet e Bashkuara dhe Panamaja nënshkruan një marrëveshje që hapën rrugën për kthimin e kanalit nën kontrollin e plotë të Panamasë në 1999.

Kanali  lejon deri në 14,000 anije të kalojnë në vit dhe përbën 2.5% të tregtisë globale. Mes të tjerash Trump tha se do të nisë një fushatë të re kundër drograve dhe përsëriti kërcënimin e tij për të përcaktuar kartelet meksikane të drogës si organizata terroriste.

Ndërkaq ai tha gjithashtu se do të favorizonte lejimin e TikTok për të vazhduar operimin në Shtetet e Bashkuara për të paktën një kohë të pa caktuar, duke thënë se ai kishte marrë miliarda shikime në platformën e mediave sociale gjatë fushatës së tij presidenciale. Senati i SHBA miratoi një ligj në Prill që kërkon që kompania mëmë kineze e TikTok, ByteDance, të heqë aplikacionin, duke përmendur shqetësimet e sigurisë kombëtare.

Klan News