Ardian Ismajli duket se do të ndryshojë skuadër në merkaton e dimrit. Mbrojtësi i Kombëtares po zhvillon një sezon mahnitës me Empolin në Serie A dhe ka bërë që në gjurmët e tij të vihen klube të mëdha dhe me emër.
Sipas raportimeve nga gazetari italian Nicolo Schira, Empoli i ka ofruar së fundmi Ismajlit rinovimin e kontratës, e cila skadon në fund të këtij sezoni.
Megjithatë 28-vjeçari ka refuzuar të zgjasë bashkëpunimin, pasi synon të nisë një aventurë të re.
Emri i shqiptarit është lidhur me Juventusin dhe Napolin, por këta të fundit duken në avantazh për momentin dhe nuk përjashtohet arritja e një marrëveshje në ditët e ardhshme. /tvklan.al