Donald Trump i heq të drejtën ish-Sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken dhe disa ish-zyrtarëve të lartë të administratës së Joe Biden për të vazhduar të marrin informacione të përditshme nga zbulimi amerikan.
Blinkenit dhe të tjerëve madje u ndalohet fare hyrja në këto institucione, sipas një urdhri të ri të nënshkruar nga shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Këtë, Trump e bëri të ditur në një intervistë ekskluzive dhënë për të përditshmen Nju Jork Post, ku shprehet: “Djalë i keq. Hiqjani lejen. T’u hiqet çdo e drejtë që kanë, përfshirë, atë të hyrjes në ndërtesat federale”.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë e akuzon Blinkenin si një prej nxitësve të dyshimeve se Trump bashkëpunoi fshehurazi me Moskën, gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 kur fitoi mandatin e parë, të cilat u hodhën poshtë.
I njëjti urdhër vlen edhe për Jake Sullivan, këshilltarin e sigurisë kombëtare të administratës Biden.
Pak ditë më parë, edhe Joe Biden u përjashtua nga e drejta për të patur akses në të dhënat e shërbimeve të zbulimit. Të njejtin vendim, Biden e mori ndaj Trumpit sapo mori presidencën në vitin 2021.
Tv Klan