Nëpërmjet avokatëve të tij, deputeti Ervin Salianji iu drejtua këtë të martë edhe Gjykatës së Lartë me kërkesë për pezullimin dhe shtyrjen e zbatimit të vendimit të Apelit që e çoi atë në qeli për 1 vit.
Ai është në pritje të shqyrtimit të një tjetër kërkese bërë në Gjykatën e Tiranës të premten me të njëjtin objekt.
Sipas mbrojtjes, ekzekutimi i këtij vendimi sjell pasoja të rënda për mandatin e deputetit, duke çuar mbarimin e tij.
Ata gjithashtu shtojnë se dënimi është për një kallëzim publik, i cili në shkelje të ligjit është konsideruar si kallëzim i rremë.
Me këto argumente, mbrojtja kërkon që ky vendim të pezullohet dhe ekzekutimi i tij të shtyhet në një afat prej 3-muajsh.
Ervin Salianji u gjet fajtor nga dy gjykata se kishte inskenuar bashkë me dy të tjerë një audio-përgjim që implikonte vëllain e ish-ministrit Fatmir Xhafaj në trafik droge.
Vetë deputeti e konsideron dënimin e tij si politik.
Tv Klan