Ligji shqiptar dhe praktika rome e martesës së vajzave nën moshë po përballen fortë në Korçë. Dritson Kurti vetëm 21 vjeç rrezikon të dënohet me 25 vite burg pasi akuzohet nga prokuroria për marrëdhënie seksuale me të mitura.

Kjo kërkesë ekstreme e prokurorisë drejtuar gjykatës për dënim është pritur me habi nga bashkëjetuesja e tij, Adelajda e cila thotë se ata janë martuar me dëshirë dhe sipas traditës dhe nga kjo martesë ata kanë edhe një vajzë, të cilën Dritsoni nuk e ka parë që nga koha kur lindi.

Gjyshja e të arrestuarit konfirmon traditën e ndjekur edhe me fëmijët e tjerë në familje dhe kërkon lirinë për nipin e saj të pafajshëm.

Në kushte të vështira dhe me një pension që 73-vjeçarja merr nuk mund të përballojnë jetesën e përditshme. Ajo thotë se 21-vjeçari i arrestuar ishte krahu i vetëm i punës që ndihmonte familjen për mbijetesë.

Pritet që Gjykata e Korçës të vendosë për fatin e 21-vjeçarit, pasi dosja hetimore është mbyllur nga prokuroria dhe është dërguar për gjykim.

Klan News