Moda dhe mitet e saj, janë pjesë e rëndësishme e jetës sonë, dhe natyrisht femra është protagoniste e padiskutueshme.

Gjithmonë ka qenë. Fustane, xhaketa, këmisha, funde, pantallona, triko, pëlhura, këpucë, pallto, çanta, stoli, aksesorë etj, janë pjesë e përditshmërisë, dhe estetika, shprehja e asaj çfarë jemi, është e natyrshme, e shumëllojshme dhe shumëngjyrëshe.

Por, pavarësisht modës që ndryshon, rrymave, tendencave, eleganca është ajo që është gjithmonë fituese, e nuk ikën kurrë nga moda.

Një ndër veshjet më ikonike femërore, është xhaketa bar, e etiketuar si xhaketa perfekte.

U krijua në vititn 1947 nga Chrsitian Dior në Paris, duke vulosur suksesin e markës luksoze dhe duke e vendosur në olimpin e kësaj industrie.

Një jehonë feminiliteti, ikonë stili dhe pa kohë, simbol i elegancës pariziene, me bel të ngushtë, e rrumbullakosur poshtë tij e shpatulla të buta nxjerr në pah format femërore e sensuale. 

U sublimua në brigjet e Lumit Senë nga Marion Cotillard, një foto historike që ngelet në muzeun e memories së çdo stilisti dhe jo vetëm.

Xhaketa bar vijon të jetë kult ende sot, duke qenë pjesë e çdo koleksioni, sfilate, gjenerate, e ripropozuar dhe modifikuar vazhdimisht, e duke rikonfirmuar statusin e përjetshëm.

Ishte 12 Shkurti i vitit 1947 kur u realizua bar suit, kostumi që përbëhet nga xhaketa dhe fundi veref, duke lindur kështu stili i ri.

Me kalimin e viteve, ky kostum, u bë pjesë e pandashme e brandit, dhe i riinterpretuar sipas vizionit të stilistëve dhe krijuesve nga koleksioni në koleksion.

U transformua dhe u bë pjesë e fustaneve të nusërisë Dior, dhe forma prej klesidre u përshtat me funde të drejtë, por edhe me pantallona për një tailleur chic. Por shumë stiliste të tjera e zbutën në shpatulla, u hoqën kopsat, më pak arkitektonike, duke e sjellë në formë më sensual, u plotësua me ngjyra, duke respektuar edhe telajot e piktorëve të mëdhenj impresionistë, por pa harruar asnjëherë stilin viktorian, atë Rococo, nga vjen edhe frymëzimi fillestar, duke nxjerrë në pah feminilitetin si vepër arti.

Dhe kjo frymë e veprës së artit, zë një vend të veçantë në çdo koleksion të Houte Couture të markave me të rëndësishme në botë.

Natyrisht moda e viteve ’50, me ikonat e stilit të nivelit, Grace Kelly e Audrey Hepburn, që mishëruan plotësisht feminilitetin, elegancën, klasiken, sensualen, identitetin, pastërtinë, modernitetin.

Rikthimi tek klasikja është vënë në pah dhe gjatë ditëve të fundit, në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit amerikan, ku jehonë patën veshjet e Zonjës së Parë, por edhe vajzës Ivanka Trump, që spikatën.

Zonja e Parë, edhe gjatë mandatit të parë presidencial, ka ditur të shfaqë mjaft hijeshi elegance në përzgjedhjen e vëshjeve të saj, ku ka dominuar gjithnjë kostumi bar, i përshtatur në forma të ndryshme, por i njëjti stil.

Përzgjedhje që përkujton ikonat e stilit, ndër to edhe ish-Zonja e Parë Jacky Kennedy, apo aktoret e mëdha të Hollywoodit të artë, duke vënë transmetuar mesazhe të pastra, feminiliteti, autoriteti, pa qenë simbol pushteti, por simbol i zonjës.

Klan News