Ndeshja Shqipëri-Kroaci ishte një spektakël futbolli, me shumë emocione të forta që prej fillimit të saj dhe e mbyllur me barazimin 2-2. Ndeshja rezultoi me pikën e parë për Shqipërinë në këtë kampionat europian. Ekipi kuq e zi u paraqit në formë të mirë që u komentua si dukshëm më pozitive në krahasim me përballjen ndaj Italisë.
Ish-futbollisti Ardit Beqiri i bashkohet këtij mendimi në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, por u ndal te minutat brenda të cilave Shqipëria pësoi golat e Kroacisë. Hapësira e shkurtër e tyre sipas tij, ishte shfaqje e “hijeve të Italisë”. Në atë pikë, shpjegon Beqiri, nis të luajë rol të fortë ana psikologjike. Ai shton se një faktor tjetër ndikues është edhe mungesa e historikut të Shqipërisë në Europian.
Ardit Beqiri: Në ndeshjen e djeshme do t’ia vë lodhjes. Golat në minutën e 75-të zakonisht bëhen për mungesë energjie sepse nuk është se nuk mund të kishim vendosur, aty ishim, edhe fizikisht, edhe taktikisht ishim brenda zonës, por unë them që është arsye fizike. Kurse për gafa, nuk është mirë që të hyjmë…
Aldo: Shiko si është puna, ti ke qenë vetë futbollist. Çfarë ndodh te ky 2-minutësh që ne shpartallohemi fare? Çfarë i ndodh fushës? Është emocionale, takati?
Ardit Beqiri: Unë kam përshtypjen që në momentin e 1-1 u shfaqën ato hijet e Italisë. Nga mënyra si na e ktheu Italia, aty është psikologjike. Deri te 1-1 është fizike, goli i shpejtë pas 1-1 është një lloj, nuk është mirë ta themi, por është si tip dorëzimi.
Aldo: U hutuam, i kap paniku.
Ardit Beqiri: Unë kësaj ia vë, është më tepër psikologjike në atë moment. Patjetër që lodhja fizike sjell deri aty, por nga momenti që pëson golin e parë, ai i dyti vjen për arsye dorëzimi, humbet ai besimi.
Aldo: Gol hëngri edhe Skocia dje, por prapë…
Ardit Beqiri: E vërtetë është, por në rastin tonë ne kemi edhe një çikë ngarkesën e dëshirës për të bërë mirë ngaqë kemi edhe shumë tifozë në kurriz, gjithë ata vetë që janë në stadium, dëshira e madhe për të bërë mirë, duket sikur kur hamë ndonjë gol është fundi i botës.
Aldo: Mendon që kemi përgatitje psikologjike të pamjaftueshme?
Ardit Beqiri: Nuk është përgatitje psikologjike të pamjaftueshme, është familjarizimi me Europanin i pamjaftueshëm. Ne sado që kemi bërë mirë, kemi ardhur në Europian, por ne jemi në fillim të rrugës akoma, ne jemi të rinj akoma në këto lloj nivelesh dhe për fat të keq, në këto lloj nivelesh, niveli i përgatitjes fizike dhe psikologjike është diçka tjetër./tvklan.al