Lajme Arkiva 2003
Uji i pijshëm mbërrin pas 8 vitesh mungese në shtëpitë e banorëve të fshatit Spitallë në Durrës. Tubacioni i ri i ujësjellësit nga Xhafzotaj është vënë pjesërisht në punë nga firma Rodeko, e cila ka zbatuar projektin për riparimin e tij.
Gjatë mbledhjes së shtabit të emergjencës për ujin e pijshëm që u mbajt në prefekturë, përfaqësuesit e firmës thanë se i nevojiten dhe tre ditë të tjera për vënien në funksionim të plotë të këtij ujësjellësi. Investimi ka vlerën e rreth 1 milionë dollarëve dhe është dhënë nga Banka Botërore.
Spitalla është një nga zonat e shumta të Durrësit që vuan prej vitesh nga mungesa e ujit të pijshëm. Zona e plazhit ndërkohë nuk do të ketë përmirësim në furnizimin me ujë të paktën deri në fund të muajit.
Deri në këtë kohë ndërtuesit e ndërmarrjes së ujësjellësit parashikojnë të kenë vendosur tubacionet e reja nga Xhafzotaj e deri në depozitën e Arapaj. Megjithatë banorët e durrësit nuk do t’i shpëtojnë furnizimit me orar me ujë.
Problematik mbetet sipas specialistëve humbja e tij për shkak të amortizimit dhe ndërhyrjeve të paligjshme në rrjet. Kështu nga burimet e Fushe Kuqes nisen 780 litra ujë për sekondë, ndërsa në Durrës mbërrin më pak se gjysma e kësaj sasie./tvklan.al