Kur bëhet fjalë për kafshët gjëja e parë që na vjen ndër mend janë kafshët shtëpiake dhe sa shumë kujdesemi ne për to. Por, nga ana tjetër shumica prej nesh ka kafshë të cilat i ka frikë dhe përpiqet që t’i shmangë.

Ujku, gjarpri, insektet apo zvarranikët e tjerë janë kafshët më të shpeshta që njerëzit priren t’i kenë frikë, disa për shkak të traumave personale dhe disa të tjerë për shkak të mitologjive që janë krijuar rreth këtyre kafshëve.

Dhe pikërisht kjo temë u diskutua me panelin e të ftuarve në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan. Do të tingëllojë e pabesueshme, por në fakt është e vërtetë. Hysni Rexhaj nuk ka frikë asnjë kafshë, madje ai ka një dashuri të shtuar dhe pasion për rritjen e tyre. Teksa flet për kafshët e shumta që mban në shtëpi si ujku dhe gjarpërinjtë, Hysniu shton se ato janë gjithçka për atë. Në shtëpi ai rrit aktualisht 4 lloje gjarpërinjsh.

Hysni Rexhaj: Kam shumë kafshë të ndryshme, por ato që janë më të rrezikshme janë ujku, gjarpri dhe disa të tjera.

Katerina Trungu: Ujku besoj se qëndron jashtë, po gjarpri ku qëndron?

Hysni Rexhaj: Gjarpërinjtë i mbaj dhe brenda për shkak të temperaturave. Nuk është problem për mua. Unë e bëj për relaks, i dua dhe i lëshoj. Për mua janë gjithçka, ama gjatë kohës kur nuk jam në shtëpi i çoj nëpër vendet e tyre.

Katerina Trungu: Sa janë?

Hysni Rexhaj: Unë kam pasur shumë më shumë. Kam pasur dhe shumë helmues dhe nuk i kam pasur problem. Kurse tani për momentin janë 4 lloje.

Katerina Trungu: 4 lloje! Po mirë ato helmueset nuk i kishte fare merak që në ndonjë moment të papritur të bënin dëmin.

Dashuria për gjarpërinjtë është aq e madhe saqë, siç tregon vetë Hysniu ajo nuk është zbehur as kur është helmuar nga një gjarpër vdekjeprurës. Teksa shton më tej se pasioni për rritjen e të tilla kafshëve nuk e ka distancuar nga njerëzit, përkundrazi shumë prej tyre kërkojnë ndihmën e tij për të mposhtur frikërat që kanë.

Hysni Rexhaj: Po unë kam pasur kafshime, por falë Zotit jam shumë mirë dhe jam gjallë, jam pickuar nga një gjarpër që është vdekjeprurës.

Katerina Trungu: Nga ana tjetër vizitorë ka në shtëpinë tuaj apo e kanë të qartë që ka ‘pronarë’ të tjerë?

Hysni Rexhaj: Po normal që është kopsht zoologjik dhe ka vizitorë të ndryshëm nga të gjitha trojet shqiptare. Unë jam aty prezent dhe ju cicëroj në forma të ndryshme.

Katerina Trungu: Në rregull ata që vijnë enkas për të parë kafshët, por familjarë tuaj vijnë që t’iu takojnë, të rrinë me ju? Vijnë?

Hysni Rexhaj: Po. Shumë është e qartë sepse ata kanë dëshirë që të kenë kontakt me mua dhe sado pak t’ua largoj fobitë e tyre që kanë./tvklan.al