Kuvendi ka rrëzuar me shumicë votash kërkesën e kreut të grupit të PD Gazment Bardhi për interpelancë me Kryeministrin Edi Rama për shumën prej 130 milionë Euro për çështjen “Bechetti”.
Në nisje të fjalës së tij, Bardhi kërkoi paraqitjen në Kuvend të Kryeministrit Edi Rama për zhvillimin e interpelancës së kërkuar prej tij që javën e shkuar.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bardhi ka thënë se interpelanca është kërkuar sa i takon informacioneve të bëra publike teksa citon se “130 milionë Euro të qytetarëve shqiptarë janë bllokuar për llogari të ekzekutimit të vendimit të arbitrazhit ndaj Agon Channel”.
“Siç jeni në dijeni në datën 2 Dhjetor të këtij viti kam kërkuar një interpelancë urgjente me Kryeministrin sa i takon informacioneve të bëra publike që 130 milionë Euro të shqiptarëve janë bllokuar për llogari të ekzekutimit të vendimit të arbitrazhit ndaj “Agon Channel”.
Ju zonja kryetare keni thënë se kërkesa jonë është marrë nga Kryetarja e Kuvendit dhe se Kryeministri për shkak të axhendës së radhës së shkuar nuk mund të jetë prezent. Ju kishit detyrimin që të vendosnit kërkesën për interpelancë të kërkuar nga grupi i PD me Kryeministrin.
Ju do ta sillnit Kryeministrin të enjten (sot) për të zhvilluar interpelancë për të dhënë llogari në Parlament. Ka pasur një reagim nga Kryeministri që ju ka diktuar. Kryeministri nuk mund t’i vejë kushte Parlamentit.
Nuk mund të jetë një kusht ndaj Kuvendit që Kryeministri të mos paraqitetet. Kërkesa ime, të thërrisni Kryeministrin Rama për të ardhur dhe për të dhënë llogari për atë informacion që ka dalë në media dhe është tashmë publik. Ndërprisni seancën dhe detyrojeni që të japë llogari siç e kërkon kushtetuta“, deklaroi Gazment Bardhi.
Bardhi, përgjigjen e mori nga ministri i Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Taulant Balla, që tha se Kryeministri nuk mund të përgjigjet në interpelancë bazuar mbi shpifje.
Po kështu, edhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali deklaroi se kërkesa e Bardhit për interpelancë nuk plotëson kushtet.
Taulant Balla: Kryeministri e ka të pamundur t’i lërë angazhimet e veta për t’ju përgjigjur kësaj kërkese për interpelancë. Ose të japë llogari për një shpifje të propaganduar publikisht, e them shpifje sepse bëhet fjalë për një lajm të rremë se shteti shqiptar i paska paguar 130 milionë Euro një elementi kriminal me të cilin shteti shqiptar po vazhdon të përplaset në gjyqe apo procese penale, jo vetëm në Shqipëri por dhe në shtete të tjera të Europës dhe këtu na thuhet që kërkohet të vijë kryeministri për të sqaruar një shpifje.
Ma gjeni në rregullore se kush është detyrimi i Kryeministrit që të paraqitet për të sqaruar një shpifje. Dhe dua t’ju garantoj që jo vetëm Kryeministri por dhe ministrat janë të gatshëm të vijnë në çdo lloj forme kontrolli parlamentar por vetëm kur kërkesa juaj të motivohet me fakte që mbrojnë interesin publik.
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali: Ju i keni bërë kërkesë vërtetë Kuvendit për një interpelancë me Kryeministrin, interpelanca është kërkesa me shkrim mbi motivet lidhur me aspekte të rëndësishme në asnjë moment nuk thuhet që interpelanca duhet të jetë e paraqitur e plotë, duhet të ketë fakte aty, duhet të bazohet në kontroll parlamentar. Kryetari i Kuvendit ka të drejtë mos ta përfshijë interpelancën në rend dite për çështje që nuk janë në përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave.
Pas diskutimeve, kryeparlamentarja hodhi në votim kërkesën e Gazment Bardhit për interpelancë me Kryeministrin Rama për çështjen “Bechetti”. Kjo kërkesë u hodh poshtë me shumicë votash për të mos u zhvilluar.
/tvklan.al