Ukraina i ka mbyllur rubinetat e gazit që furnizon Evropën si pasojë e mosmarrëveshjeve të saj me Rusinë.

Kompania gaznxjerrëse ruse, GazProm, ndërpreu furnizimin e Ukrainës më 1 Janar mes akuzave se ky vend ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme më shumë se 65 milion metër kub gaz.

Pasojat janë ndjerë menjëherë në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Brukseli zyrtar ka reaguar me shqetësim.

Më të prekur nga reduktimi i gazit janë vende, të cilat varen 80 deri në 100% nga Rusia si Letonia, Sllovakia, Finlanda, Estonia, Bullgaria, Çekia, probleme dhe për Greqinë dhe Maqedoninë fqinje.

E njëjta situatë edhe për Gjermaninë, Kroacinë dhe Turqinë. Rezervat e mbetura Kievi i ka ruajtur për nevojat e brendshme.

Presidenca evropiane drejtuar nga Çekia e ka konsideruar si të papranueshme situatën, por pa dashur të alarmojë për një krizë të mundshme në Evropë, Brukseli kërkoi me forcë gjetjen e një zgjidhje mes Rusisë dhe Ukrainës, një mision i vështirë ky, por jo i pamundur pasi vetë ekonomia ruse varet nga eksportet e gazit dhe naftës në Evropë dhe Moskës nuk do t’i interesonte bllokimi i këtyre të ardhurave.

Megjithatë shqetësimi evropian për përdorimin politik të gazit nga ana e Rusisë po rritet gjithnjë e më tepër dhe kontinenti i vjetër po kërkon në rrugë alternative për ta shmangur varësinë nga gazi rus./tvklan.al