Industria e Naftës e Serbisë (NIS) i ka paraqitur një kërkesë zyrtare Departamentit të Thesarit të SHBA-së për heqjen e sanksioneve për 90 ditë.
Sipas Ministres së Minierave dhe Energjisë te Serbisë, Dubravka Gjedovi Handanović këtë kërkesë e kanë mbështetur qeveria e Serbisë dhe ajo e Hungarisë.
Shtetet e Bashkuara e kanë vendosur NIS-in në listën e sanksioneve më 10 Janar për shkak të pjesëmarrjes në pronësi të kompanisë ruse, Gazprom Neft, për të parandaluar Rusinë që të përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë.
Sipas Handanović kërkesa ka të bëjë me marrjen e licencave të përgjithshme ose të veçanta që do t’i mundësonin NIS-it të vazhdojë aktivitetin e tij ndërkohë që kërkohet një zgjidhje e pranueshme për strukturën e pronësisë dhe menaxhimit, me qëllim që kompania, e cila është e rëndësishme në nivel rajonal dhe strategjik për stabilitetin energjetik, të vazhdojë të operojë.
Kompanitë ruse, Gazprom Neft dhe Gazprom, zotërojnë shumicën e aksioneve në NIS, ndërsa Serbia ka në pronësi gati një të tretën e aksioneve.
Qeveria e Serbisë mbështet kërkesën për dhënien e një licence të tillë për NIS-in, pasi sanksionet “do të dëmtonin aftësinë e kompanisë për të furnizuar qytetarët e Serbisë me naftë dhe produkte të saj”.
Autoritetet në Beograd po negociojnë me Uashingtonin dhe Moskën për të gjetur një zgjidhje dhe për t’i zbutur pasojat negative për Serbinë dhe qytetarët e saj. Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara sigurojnë se nuk do të ketë pasoja ekonomike për Serbinë nëse pronësia ruse hiqet nga kompania NIS.
Klan News