Të gjithë konsumatorët familjarë që harxhojnë deri në 700 kilovatorë energji në muaj, nga 1 Shkurti do të paguajnë 8.5 Lekë për kilovatorë, që do të thotë 1 Lekë më pak sesa aktualisht.
Ndërsa ata abonentë që kalojnë mbi 700 kilovatorë në muaj, do ta paguajnë 9.5 Lekë kilovatorin për të gjithë sasinë e energjisë së konsumuar. Çmimi i ri u miratua këtë të mërkurë nga Enti Rregullator i Energjisë.
“Konsumatorët familjarë që konsumojnë 701 kilovat në muaj e më tej, për të gjithë sasinë e konsumuar duke filluar nga kilovati i parë, çmimi i energjisë do të jetë 9.5 Lekë për kilovat orë”, tha Romir Pajenga, drejtor i Drejtorisë së Tarifave dhe Çmimeve, ERE.
Më konkretisht, një familje që harxhon 700 kilovatorë, sot paguan një çmim total prej 6650 Lekë të reja pa TVSH, ndërkohë me çmimin e ri do të paguajë 5950 Lekë, pra 700 Lekë më pak.
“Ulja e çmimit të energjisë nuk përfshin bizneset, por vetëm konsumatorët familjarë. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 80% e abonentëve familjarë konsumojnë më pak se 700 kilovatorë në muaj“, raporton gazetarja Dorina Halili.
“Mbulon pjesën më të madhe të konsumatorëve familjarë. Eficensa është rritur, kjo krijoi mundësinë për këtë vendim”, tha kryetari i ERE, Petrit Ahmeti.
Tarifa e re e energjisë e elektrike që hyn në fuqi nga 1 Shkurti do të aplikohet deri në 31 Dhjetor të këtij viti.
Tv Klan