Pas vendimit të Presidentit Donald Trump më 20 Janar të këtij viti për ndërprerjen e fondeve ndihmese të SHBA-së për shumë shtete për një periudhë 90-ditore, Ambasada Amerikane në Tiranë ka njoftuar edhe të gjitha institucionet që preken nga kjo vendimmarrje.

Institucionet që janë njoftuar nga Ambasada Amerikane për pezullimin e fondeve nga SHBA-ja përfshijnë Ministritë kryesore të vendit tonë, institucionet më të larta të drejtësisë, por edhe agjencitë e rëndësishme të sigurisë dhe inteligjencës së Shqipërisë.

Në njoftimin zyrtar të Ambasadës Amerikane për Klan News thuhet se:

“Në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv të Presidentit Trump për Rivlerësimin dhe Riorganizimin e Ndihmës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, Sekretari Rubio ka pezulluar të gjithë ndihmën ndërkombëtare të SHBA të financuar nga ose përmes Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar për shqyrtim. Ai po fillon një rishikim të të gjitha programeve të ndihmës ndërkombëtare për të siguruar që ato të jenë efikase dhe në përputhje me politikën e jashtme të SHBA nën agjendën Amerika e para”.

Ndër të tjera thuhet se riorganizimi i ndihmës ndërkombëtare është një detyrim moral ndaj taksapaguesve amerikanë.

“Rishikimi dhe riorganizimi i ndihmës ndërkombëtare në emër të taksapaguesve që punojnë fort nuk është thjesht gjëja e duhur për t’u bërë, por është një detyrim moral. Sekretari është krenar që mbron investimet e Amerikës me një rishikim të qëllimshëm dhe të kujdesshëm se si ne shpenzojmë dollarët e ndihmës ndërkombëtare jashtë vendit”.

Urdhri ekzekutiv i Presidentit Donald Trump që pezullon përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj nga ana e SHBA për 90 ditë, vjen me arsyetimin se do të rishikohen dhe të përcaktohen nëse ato janë në përputhje me objektivat e tij politike.

Ndër të tjera në urdhrin e Trump thuhet se ndihma e huaj dhe burokracia nuk janë në linjë me interesat amerikane dhe në shumë raste në mospërputhje me vlerat amerikane.

MINISTRITE, INSTITUCIONET E NJOFTUARA NGA AMBASADA E SHBA

– Ministria e Financave, përfshirë Agjencinë e Inteligjencës Financiare

– Ministria e Brendshme, përfshirë Policinë e Shtetit, Agjencinë e Mbikëqyrjes së Policisë dhe Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm

– Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

– Ministria e Drejtësisë, përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve

– Ministria e Mbrojtjes

– Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

– Ministria e Arsimit dhe Sportit

– Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

– Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale

– Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët

– Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor

– Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

– Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, përfshirë KESH, OST, OSHEE dhe Bursën ALPEX

– Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Kundër Korrupsionit

– Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin

– Parlamenti, duke përfshirë komisionet e tij

– Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë

– Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë edhe të gjitha gjykatat e tjera

– SPAK, përfshirë Prokurorinë Speciale dhe BKH

– Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, ILD, KPK, ONM

– Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike, AKSH, SASPAC

– Ministria e Shtetit dhe Zyra e Kryenegociatorit

– Të gjitha pushtetet komunale.


Klan News