#AldoMorningShow Emision mëngjesi nga #AldonLipe në #TvKlan.{

Qendër për fëmijët me autizëm dhe sindromën Down, Veliaj: Trajtime falas me logopedë e psikologë

Mëngjesin e sotëm në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan ishte i ftuar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Gjatë fjalës së tij kryebashkiaku Veliaj dha lajmin për hapjen e një qendre për fëmijët me spektrin autik dhe sindromën Down.

Ai bëri të ditur se trajtimet me psikologë, logopedë dhe fizioterapistë në shërbim të fëmijëve me aftësi ndryshe do të jenë falas.

Aldo: Ju keni nxjerrë idenë dhe për një qendër të re që do të ndërtohet autizmin dhe sindromën Down, çfarë është kjo?

Erion Veliaj: Një nga gjërat që ne kemi parë qoftë në aspektin ekonomik dhe social ky qytet po ecën shumë shpejt, por jo të gjithë po mbajnë të njëjtin ritëm. Kjo do të thotë për pjesën e ushqimit që disa po pasurohen shumë, por duhet të mendojmë për disa që ndoshta nuk ia kanë dalë kanë nevojë për një dorë. E njëjta gjë ndodh edhe në rastet e fëmijëve me spektrin autik dhe sindromën Down. Qyteti me 1 milionë banorë ka përqindjen e vet të rasteve që kanë nevojë për ndihmë. Si kryetar bashkie dhe si menaxheri i kësaj familjeje të madhe gjykoj fort që për këta engjëj të vegjël duhet të ketë një shërbim. Dhe ajo që më rezulton nga shumë prindër që flas është që shumë nga këto qendra private janë shumë të kushtueshme, pra heq një pjesë të madhe të buxhetit të familjes. Dhe them nëse ne kemi bërë një qendër ekselence si Piramida, ku kurset e teknologjisë janë falas, atëherë shumë mirë mund ta bëjmë këtë qendër. Kemi marrë një terren mbas Ambasadës Amerikane dhe kam porositur stafin që dua, siç Piramida është qendra më e madhe në Europë për arsimin digjital dhe është falas, unë dua që të gjithë engjëjt tanë të cilët kanë disa sfida në fëmijëri të ndihmohen me logopedë me fizioterapistë. Para 9 vitesh qyteti nuk i kishte këto mundësi, tani qyteti është pak më i pasur. Dhe gjykoj që trashëgimia që unë dua t’i lë këtij qyteti përveç kësaj infrastrukture, dua që të jetë një trashëgimi jo vetëm fizike, por edhe sociale dhe unë besoj se kjo trashëgimi sociale është diçka që qyteti e meriton po aq sa edhe infrastruktura fizike. Për shumë prindër që harxhojnë shumë kohë dhe financa besoj se kjo do të jetë një ndihmë shumë e madhe. Ka ardhur koha që qyteti të ketë një qendër ekselence për mjekët, logopedët dhe psikologët më të mirë dhe falas.

Aldo: Kjo në ndihmë të familjeve që nuk kanë mundësi, sepse është kosto.

Erion Veliaj: Patjetër sepse besoj jo vetëm që është kosto, por një prind i cili ka një situatë të tillë në familje privohet nga karriera e vet, nga koha e vet sepse merr shumë energji dhe gjykoj se është diçka drejtë që i ka ardhur koha

Ushqim falas në shkollat 9-vjeçare, kryebashkiaku Veliaj: Do jemi të parët në rajon

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i ftuar në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ka dhënë detaje mbi projektin e shpalosur disa ditë më parë, për ushqim falas për të gjithë nxënësit në shkollat publike 9-vjeçare në Tiranë. Filozofia e këtij projekti është që të ofrojë kushte të barabarta për të gjithë fëmijët, kryesisht për ata që vijnë nga familje me ekonomi më të dobët.

“Si të majtë ne besojmë se nëse fëmijët marrin të njëjtat vitamina, të njëjtat vlera ushqyese, është një mënyrë për t’i mbajtur fëmijët më gjatë në shkollë, por edhe që ta kenë fillimin e barabartë. Edhe te Piramida, ku i kemi të gjitha kurset falas, funksionon filozofia që startin ta kenë të gjithë njësoj”, tha Veliaj.

Duke nisur nga shtatori i ardhshëm, Veliaj u shpreh se Tirana do të jetë qyteti i parë në rajon që aplikon një projekt të tillë, që aktualisht zbatohet në Londër.

“Do ketë një sistem kateringu në shumë shkolla. Do jemi ndoshta i pari qytet që e bën këtë në rajon. E kemi marrë si projekt nga Londra. Londra po e bën shumë mire këtë”, shtoi ai.

Ideja për këtë projekt, Veliaj tha se ka qenë prej kohësh, por tashmë janë mundësitë ekonomike për ta zbatuar.

“Është diçka që e kemi menduar prej kohësh, por nuk e kemi pasur mundësinë. Nëse para 9 vitesh bashkia ishte e falimentuar, nuk paguanim dot ndihmën ekonomike, nuk paguanim dot rrogat, e nuk ndërtonim një shkollë, sot bashkia nuk është e tillë. Sot ka 10-fishin e buxhetit. Kjo do të thotë se e ka mundësinë që të mendojë. Unë nuk e fsheh, unë jam socialist, jam i majtë, unë besoj se shteti ka një detyrim social, sidomos ndaj shtresave në nevojë”, përfundoi Veliaj.

Maratona e Tiranës rikthehet me edicionin e 8-të më 20 Tetor, Veliaj: Gjenerojmë ekonomi për qytetin

E kthyer tashmë në një traditë të bukur për kryeqytetin, Maratona e Tiranës, eventi më i madh sportiv në kryeqytet, rikthehet më 20 tetor  për të pritur garues nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i ftuar në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan bëri thirrje për pjesëmarrje masive në këtë event sportiv. Ai theksoi se Tirana tashmë është e mbushur me evente të shumta të cilat gjenerojnë dhe ekonomi për qytetin.

“Për pak ditë do të mbushet me njerëz për Maratonën e Tiranës, e cila do të jetë më 20 tetor. I sjell shumë biznes edhe Tiranës. Ki parasysh që vijnë 10 mijë veta për maratonën, zakonisht vijnë me familjarët e tyre, pra vijnë me bashkëshortët, vijnë edhe fëmijët. Për qytetin është një punë shumë e madhe 20-30 mijë veta që vijnë e rrinë në hotel e konsumojnë. Ajo që kemi arritur të bëjmë është që të prodhojmë evente për qytetin që prodhojnë ekonomi. Kur njerëzit dëgjojnë “Kryeqyteti i Rinisë”, ‘Kryeqyteti i Sportit’, vitin tjetër jemi ‘Kryeqyteti Evropian i Kulturës’, në thelb është një truk për sjellë sa më shumë aktivitete, për të sjellë sa më shumë financa për qytetin”, tha Veliaj.

Maratona do të zhvillohet në katër kategori kryesore: “Marathon”, “Half Marathon”, “Tirana 10K” dhe “We Too”. Për secilën kategori janë parashikuar çmime të ndryshme për fituesit, duke e kthyer këtë garë në një motivim të madh për sportistët. Përtej aspektit garues, Maratona e Tiranës do të jetë një festë e madhe për qytetin, me aktivitete të shumta artistike dhe kulturore përgjatë gjithë ditës.

/tvklan.al