Vazhdojnë rastet e dhunës së policisë greke ndaj emigrantëve shqitarë që punojnë dhe jetojnë në tokën Helene. Rasti më i fundit është shënuar ditën e djeshme, në pikën doganore të Kapshticës, janë kthyer një grup emigrantësh të keqtrajtuar, 3 prej të cilëve kanë bërë dhe denoncim ndaj policisë Greke. Denoncimi i 3 emigrantëve identiteti i të cilëve nuk bëhet publik ka mbërritur dhe tek avokati i popullit. Sipas përfaqësuesit të këtij institucioni doktor Jorgo Dhrami është kontaktuar me autoritete Greke për sqarimin e këtij rasti.
Jorgo Dhrami: “Duke gjykuar në gazetat, artikujt që bëhen në gazeta avokati i popullit ka marrë në trajtim këtë çështje dhe ne ju a kalojmë homologëve tanë, si do të bëjmë në rastin konkret për tre emigrantët të cilët kanë denoncuar dhunën e përdorur nga policia greke, do t’ja kalojmë homologut tonë në Greqi, në të njëjtën kohë dhe Evropës, Strasburgut”.
Por duket se qeveria pas presioneve të ndërkombëtarëve të nxitura nga protestat e lëvizjes “Mjaft” ka filluar të reagojë ndaj këtyre rasteve. Kështu mbas një vale protestash të aktivistëve të shoqatës “Mjaft” në adresë të Ministrisë së Jashtme Greke kundër vrasjeve dhe keqtrajtimeve të shqiptarëve, qeveria Greke ka njoftuar se ka nisur procedurat për të kaluar në parlament projetligjin antidiskriminues. Ky projektligj parashikon dënimin deri në një vit burg të personave që shfaqin shenja të racizmit në këtë vënd. Kjo nisëm e qeverisë greke është një përpjekje për të përmirësuar imazhiin e vendit, pasi nga nje sondzh i bërë nga Komisioni Europian, Geqia del vendi më ksenofon i Europës./tvklan.al