Ulja e taksave, çmimit të energjisë dhe karburanteve është zotimi i Partisë Demokratike nëse arrin të fitojë zgjedhjet më 11 Maj. Kryedemokrati Sali Berisha tha gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale se ky premtim do të mbahet në 100 ditët e para të qeverisë, duke e cilësuar si një paketë emergjence.
Teksa thotë se PD punon për programin elektoral, kryedemokrati Sali Berisha tha se brenda Partisë Socialiste, sipas tij, ka nisur lufta e brendshme mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Pala tjetër është në një betejë të përgjakshme, njëri me tjetrin, numri dy i Partisë Socialiste është de facto kufomë politike e pakallur. Nuk guxon ta akuzojë Ramën, por akuzon familjarët e tij”, tha Sali Berisha.
Berisha thotë se thellimi i hetimeve ndaj Veliajt do të zbulojë të gjitha skemat korruptive të kryebashkiakut me taksat e qytetarëve.
“E morët vesh ju që kryetari i bashkisë në Sky Tower mbante apartament të paregjistruar, të padeklaruar. Po sa mund të ketë të tilla, do krijohen ekipe, do jepen shpërblime për çdo informacion të saktë për pronat e këtyre qeveritarëve”, tha Sali Berisha.
Klan News