Për ndërtimin e stadiumit “Selman Stërmasi” do të ndiqet i njëjti model si ai i “Arenës Kombëtare”. Teksa prezantoi projektvendimin që mundëson rindërtimin e stadiumit në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se operatori privat që do realizojë projektin do të bëjë ambientet sportive dhe do të marrë edhe pjesën e vet.
“Marrëveshje për stadiumin dhe investimin e rijetëzimin e stadiumit, projekti që propozojmë sot, Bashkia e Tiranës nuk është pjesë, por ne kërkojmë një stadium më të mirë, pasi ka mbetur ende i sistemit sovjetik dhe që e duan ende ata ithtarët e stalinizmit. Nuk ka pse Tirana të shkojë të luajë në Kavajë apo diku tjetër”, shprehet Veliaj.
Veliaj u ndal tek nisma e bashkisë së Tiranës, ku vetëm muajin e para janë dhënë 30 mijë abone. Veliaj tha se shumë shpejt të moshuarit do të pajisen me kartën e pensionistëve ashtu siç u pajisën studentët, duke përfituar lehtësira në shërbime të ndryshme.
“Nuk ka nevojë të shkojnë të gjithë në 07.00 të mëngjesit. Duhet edhe pak sensibilizim për sa kohë që është e hapur gjatë gjithë ditës, për të mos vënë radhën e qumështit që në vakt dhe krijuar një alarm që është i paqenë. Kemi abone për të gjithë, nuk ka një limit. Vetëm, në muajin e parë jemi mbi 30 mijë. Do vijojmë të shohim kuotat dhe do jemi të gatshëm për t’u përgjigjur edhe me kartën e pensionistit. Besoj që ky është një super lajm për gjyshet”, tha Veliaj.
Veliaj tha se po shihet mundësia e shtimit të kioskave për marrjen e aboneve falas nga të moshuarit, si dhe zgjatjen e ditëve të abonese.
Tv Klan