Nis për herë të parë trajnimi për drejtuesit e arsimit parauniversitar në vend, duke përfshirë 60 drejtorë kopshtesh dhe aspirant për drejtues. I pranishëm në ceremoninë e çeljes së programit për Drejtuesit e Shkollave dhe Kopshteve, e zbatuar nga Shkolla e Drejtorëve, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Tiranës do t’i shtohen edhe 10 të tjera.
“Sot në Tiranë kemi ndërtuar 45 shkolla të reja, plus 109 kopshte dhe çerdhe; pra, si infrastrukturë kemi ecur goxha. Me investimet e reja, sidomos në zonat që i janë shtuar Tiranës, si lagjja ‘Rilindja’ [Astiri], Liqeni i Thatë, Kopshti Botanik dhe gjithë zona mes Saukut dhe Farkës, kemi edhe një paketë tjetër për ndërtimin e 10 shkollave të reja.”
Veliaj u ndal edhe tek subvencionimi i çmimit për kopshte dhe çerdhe.
“Ne e subvencionojmë në raportin 7/1 edhe pagesën për çerdhet dhe kopshtet. Mbase shumica e njerëzve nuk e dinë, por nga një kosto prej 8 mijë lekësh në ditë, e cila përfshin të gjitha shpenzimet në kopshte dhe çerdhe, 7 mijë lekë i paguan bashkia. A mund ta bëjmë të gjithën falas? Edhe mund ta bëjmë, por në këtë fazë, duke paguar diçka fare të vogël, është më mirë për të thënë që kjo nuk është e pavlerë. Këtë subvencionim nuk e bën asnjë vend tjetër sot në rajon.”
Duke u ndaluar edhe tek qendra TUMO, Veliaj tha se Bashkia e Tiranës dhe qeveria janë të vendosura për t’u dhënë mundësi të barabarta të gjithë të rinjve, për të investuar në dije përmes këtyre programeve inovative.
Tv Klan