Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme që pritet të mbahen pranverën e ardhshme, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka vendosur të rifreskojë të gjitha drejtoritë dhe ndërmarrjet kryesore bashkiake. Ai ka emëruar 12 drejtues të rinj, duke filluar nga drejtoresha e re e UKT-së Elda Muçi, e cila zëvendëson në këtë pozicion Elton Kacidhen, i cili e mbante këtë post prej 4 vitesh.
Toni Beni do të jetë kreu i Policisë Bashkiake, duke zëvendësuar Ermal Kapllanin, i cili e mbante këtë pozicion prej afro 9 vitesh. Në krye të Ndërmarrjes së Rrugëve dhe Ndriçimit është emëruar Piro Sinjari, kurse drejtimin e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit e ka marrë Blerta Dardha.
Tirana Parking do të drejtohet nga Flavio Barçi, ndërsa Kopshti Zoologjik nga Ervis Rrahmani.
Ndryshime kanë pësuar dy qendrat sociale, që nga sot drejtohen nga Aldo Aga dhe Gentjana Lasku. Në drejtimin e Shtëpisë Studio “Kadare-Agolli” është emëruar Anisa Ymeri, e cila zëvendëson Brisi Trajkon. Teksa si drejtor i Rezidencës Studentore në Qytetin Studenti do të jetë Renato Pashollari, duke zëvendësuar në këtë post Anila Shehun.
Tv Klan