Gazetarja ukrainase, Olha Priadko, ka vdekur në moshën 51-vjeçare në banesën në Prishtinë, ku prej dy vjetësh jetonte me djalin e saj, njoftoi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). Shkaku i vdekjes së saj ende nuk dihet. Priadko po strehohej në Kosovë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë”, përmes së cilit gazetarët nga Ukraina, që përballet me pushtimin rus që nga viti 2022, mund të jetojnë dhe punojnë nga Kosova.

“Përkushtimi i saj në gazetari do të kujtohet dhe nderohet nga të gjithë ata që punuan me të”, shkroi AGK në njoftim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu ngushëllime për vdekjen e gazetares ukrainase, tha se ajo u strehua në Kosovë për t’i shpëtuar tragjedisë së luftës në shtetin e saj. “Ajo ishte gazetare profesioniste dhe nënë e përkushtuar, që mbarte me vete forcën dhe kurajën që vetëm ata që kalojnë vuajtje të tilla mund ta kuptojnë”, tha Kurti.

Pikëllim të thellë për vdekjen e Priadkos shprehu edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. “Përkushtimi i saj për gazetarinë dhe koha që ajo kaloi me programin ‘Gazetarët në Rezidencë’ do të mbahen mend gjithmonë”, tha BE-ja, duke u shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve.

“Gazetarët në Rezidencë”, përmes së cilit ishte strehuar në Kosovë Priadko, është një program i iniciuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës. Nëpërmjet këtij programi mundësohet strehimi i përkohshëm për gazetarët ukrainas. Atyre u mundësohet një pagë mujore, akomodim në banesë, kushte pune, kurse të gjuhës dhe të integrimit, si dhe ndihmë psiko-sociale sipas nevojës. Përveç ndihmës përmes këtij programi, shteti i Kosovës ka dënuar pushimin rus të Ukrainës dhe u është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare të vendosura ndaj Moskës.

/REL