Princ Leka kërkon urdhër mbrojtje nga Elia Zaharia, padi edhe ndaj ish-vjehrrit
Princ Leka II dhe ish-bashkëshortja e tij Elia Zaharia janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Ngjarja ndodhi pasditen e të martës dhe u përfshinë edhe babai Elia-s, Gjergj Zaharia. Siç duket edhe në këtë video që është filmuar nga vetë Princ Leka II, ai debaton ashpër me ish-bashkëshorten e cila i kërkon llogari pse i kishte dhunuar të atin.
Sherri mes princit dhe babë e bijë ndodhi rreth orës 15:20 në rezidencën e familjes mbretërore.
Sipas dëshmisë së dhënë në polici, Princ Leka II deklaroi se ai shkoi për të takuar vajzën e tij 3-vjeçare, dhe në këtë moment ish-vjehrri e fyeu dhe kërcënoi në prani të princeshës Geraldinë.
“Unë kam përqafuar vajzën time edhe Gjergj Zaharia ka filluar me fjalë fyese e kërcënuese në drejtimin tim duke më thënë ti duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua. I kam kërkuar që të largohet nga dhoma ku unë po qëndroja me vajzën. Në këtë moment situata ka agravuar, dhe Gjergj Zaharia më është afruar duke më shtyrë e goditur me shqelma tek këmbët e mia. Reagimi im ka qenë vetëm mbrojtës, por Gjergji ka vazhduar duke më goditur dhe më ka grisur xhupin, si edhe ka marrë edhe një statujë druri me të cilën më ka goditur.”
Gjatë kohës që Princ Leka II po konfliktohej me ish-bashkëshorten Elian, nga shkallët e katit të dytë zbret edhe Gjergj Zaharia. Ai mban në dorë statujën e drurit që pretendohet nga Princ Leka që është përdorur për ta goditur.
Kjo deklaratë e Princit Leka II kundërshtohet nga Elia dhe Gjergj Zaharia. Babë e bijë në polici pretenduan se ishte princi ai që i goditi i pari.
Elia Zogu: Erdhi i agresuar dhe u bë i dhunshëm. Më ka kapur prej duarsh, më ka shtyrë dhe ka tentuar që të më godasë. Ne jemi vetëmbrojtur.
Gjergj Zaharia: Jam i moshuar dhe nuk e kam goditur unë i pari. Ishte Leka ai që më sulmoi dhe më goditi i pari. Unë jam vetëmbrojtur.
Për sherrin në familjen mbretërore, bënë kallëzim edhe Princi Leka II, por edhe Elia Zaharia. Të dy kanë kërkuar urdhër mbrojtje ndaj njëri-tjetrit, ndërsa policia plotësoi kërkesa paditë për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Princ Leka II dhe ish-bashkëshortja i dhanë fund martesës së tyre 7-vjeçare në dhjetorin e vitit të kaluar.
Zyrtarisht kjo u konfirmua në 15 Janar të këtij viti. Ishte vetë Princ Leka II që përmes një postimi në rrjetet sociale tha se “duke qenë se martesa e kishte humbur funksionin e saj, kishin vendosur t’i jepnin fund.
Klan News