Procesi i legalizimit në Qarkun e Tiranës po vazhdon me ritme te larta. Drejtori rajonal i ALUIZNI-t, Agim Berisha thotë, se pavarësisht disa përpjekjeve të militanteve të së majtës të cilët  u propagandojnë qytetarëve që janë në proces legalizimit se tapia është e pavlefshme kështu që të mos kryejnë pagesën, puna po vazhdon me kapacitet të plotë.

Agim Berisha: “Thuhet që tek tuk dalin njerëz të forcave të ndryshme politike që mund tu thonë njerëzve, por ne nuk kemi marrë këto. Ne vazhdojmë punën vazhdojmë me ngarkesë të plotë. Është njëlloj sikur ti thotë PD për shembull qytetarëve ose militantëve të saj që mos kalo nëpër hijet e pemëve që ka mbjell Edi Rama, kjo është absurditet.”

Brenda këtij muaji kreu i ALUIZNI-t për Tiranën, thotë se do të jenë gati edhe 40 mijë dosje legalizimi.

Agim Berisha: “Është forma më e thellë ekonomike sepse është e prekshme, është një proces shumë i rëndësishëm. Ne kemi 60 veta që punojnë çdo ditë minimalisht çdonjëri punon 20 dosje, që i thonë mbi 1 mijë dosje në ditë përgatisim. Pra brenda këtij muaji do të përgatisim mbi 40 mijë copë do tu shkojnë qytetarëve nëpër shtëpitë e tyre.”

Ndërkaq çdo qytetar të cilit i është kompletuar dosja nga ALUIZNI, brenda dy javësh mund të marrë tapinë nga zyrat e hipotekës./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro