Bill Clinton do të pritet të dielën në Prishtinë sikur hero. Të paktën kështu kanë paralajmëruar krerët e shtetit Kosovës, të cilët u kanë bërë thirrje qytetarëve që gjatë kohës që do të qëndrojë ish presidenti i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ata të dalin sa më masivisht në rrugën në shenjë falënderimi për ndihmën që i ka dhënë ai Kosovës.
Bill Clinton me të mbërritur në Prishtinë në orën 12 do të pritet nga presidenti dhe kryeministri me të cilët do të zhvillojë një takim të përbashkët. 45 min më vonë ai do t’u drejtohet deputetëve të kuvendit të Kosovës në një seancë solemne, e pas këtij fjalimi në orën 13 e 20 është paraparë të zhvillohet ceremonia kryesore e vizitës, zbulimi i shtatores së tij në bulevardin që po ashtu mban emrin Bill Clinton.
Për sigurinë e ish presidentit amerikan dhe personelit shoqërues të tij, policia e Kosovës ka marrë të gjitha masat.
“Duke filluar nga sot në mbrëmje pas orës 23 e 30 fillon faktikisht edhe bllokimi i asaj pjese të rrugës që të mos parkojnë automjetet e tyre në atë pjesë, dmth në tërësi në rrugën Bill Clinton dhe në rrugët lidhëse të cilat e përfshijnë apo e kryqëzojnë atë rrugë, në mënyrë që të jetë hapësirë e mjaftueshme për ceremoninë e cila do të zhvillohet nesër.”
Kjo është vizita e parë e Clintonit në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit të kaluar dhe e treta pas luftës./tvklan.al