PDK-ja përmbylli fushatën zgjedhore të mërkurën në Deçan. Lideri i kësaj partie Hashim Thaçi u premtoi anëtarëve dhe simpatizantëve të PDK-së zhvillimin e kësaj komune.

Hashim Thaçi: “Dua ta ndihmoj Deçanin, dua ta zhvilloj Deçanin, dua ta ndërtoj Deçanin dhe dua ndryshime në Deçan, demokraci në Deçan. Këtë kërkon Kosova, e kërkon Uashingtoni, e kërkon Brukseli.”

Ndërsa kandidati për kryetar të Deçanit nga PDK-ja, Musa Mushkolaj theksoi se infrastruktura do të jetë prioritet i tij nëse qeverisë me komunën.

Musa Mushkolaj: “Në prioritetet e programit tonë janë hartimi i menjëhershëm i planeve rregullative dhe të detajizuara, urbanistike dhe rurale duke u bazuar në planin zhvillimor komunal dhe planin zhvillimor urban i cili i gjithë Deçani i ka.”

Mushkolaj beson se e ka ekipin për ti përmbushur premtimet e PDK-së. Kjo parti përmbylli fushatën edhe në Pejë, Klinë dhe Gjakovë.

Koalicionit AKR-LDD i është organizuar një pritje e madhe në bastionin më të fortë të PDK-së Skënderaj. Nën kryetrari i AKR-së, Ibrahim Gashi tha se këto dy parti sjellin një frymë të re të demokracisë në tërë Kosovën. Prandaj sipas tij e meritojnë voton e qytetarëve.

Ibrahim Gashi: “Ju thërras që me 15 nëntor kështu si jeni bashkë me familjarët me miqtë me kolegët  tuaj gjithandej që i keni të votoni për kandidatin e koalicionit LDD-AKR në Skënderaj, zotin Fadil Geci.”

Kandidati i këtij koalicioni, Fadil Geci tha se për ta ndryshuar qeverisjen e keqe dhe e korruptuar që ekziston qe 10 vjet duhet votuar ai dhe ekipi i tij.

Fadil Geci: “Për të tejkaluar këtë gjendje unë kandidati për kryetar të komunës Skënderaj nga koalicioni LDD-AKR, sot para jush paraqes ofertën time për komunën tonë për një jetë më të dinjitetshme.”

Lideri i LDD, Nexhat Daci kërkoi votën e qytetarëve të Skënderajt për kandidatin më të fuqishëm të kohës.

Nexhat Daci: “Drenicë dhe Skënderaj në veçanti me 15 nëntor e din që dalja nga recesioni, kthimi i shpresës është në numrin 65 në LDD dhe në numrin 64 në AKR, sepse ne jemi me Fadil Gecin dhe me ju. Ju faleminderit!”

U prezantuan edhe kandidatët e në fund pak muzikë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka përmbyllur fushatën e saj parazgjedhore në Viti, duke u bërë thirrje qytetarëve të kësaj komune ta votojnë kandidatin e AAK-së për kryetar të komunës si dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj fitore në kandidatët e partisë për Viti, Enver Rustemi e lidh me mundësinë e zhvillimit të kësaj komune.

Ramush Haradinaj: “Në radhë të parë ju keni me kalue në një normalitet qeverisës, ku ka me u qeverisë në bazë të ligjit për të gjithë qytetarët. Ku do funksionojë qeverisja, administrata, gjitha shërbimet me kompetencë.”

Nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala ironizoi me sloganet e kandidatit të PDK-së.

Blerim Shala: “Kanë bërë shumë mbrapshti, shumë dështime si në Viti ashtu edhe në … të Kosovës, por aftësia e tyre është edhe më e madhe nëse këta mbesin në pushtet do të bëjnë edhe më shumë mbrapshti edhe më shumë dështime dhe do ta rrezikojnë ardhmërinë e këtij populli dhe ardhmërinë e Kosovës.”

Kandidati, Enver Rustemi prezantoi përpara qytetarëve prioritetet që ka gjatë mandatit të tij 4 vjeçar.

Enver Rustemi: “Ju garantoj se do të kemi një qeverisje profesionale, një qeverisje praktike, një qeverisje transparente, respektim të rendit dhe ligjit.”

Më pas për të fundit herë u prezantuan edhe kandidatët për asamble komunale.

Gjilani është kampioni i superligës në korrupsion. Kështu e quajti komunën  e tij kandidati për kryetar i LDK-së, Fatmir Rexhepi.

Ai premtoi ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan-Preshevë. E po ashtu edhe investime në vlerë prej 110 milion eurove. Premtoi edhe 3 mijë vende të reja të punës.

Fatmir Rexhepi: “Ju drejtohem me ftesën që të votoni programin me 8 objektiva strategjike dhe 95 projekte madhore që ofron një perspektivë të re për Gjilanin dhe Kosovën Lindore.”

Nga ana tjetër, Lutfi Haziri kërkoi nga kryeministri që thjesht të bëjë punën e tij.

Lutfi Haziri: “Qe tre net ia ka nis me qu selame dhe po do të bëhet edhe burrë shtetas. Është mirë me kry detyrën e kryeministrit, se ka kush e ruan shtetin dhe vendin.”

Kjo parti përmbylli fushatën edhe në Podujevë. Deputeti, Sabri Hamiti tha se LDK-ja është e pa konkurrencë në këtë vend.

 Sabri Hamiti: “Edhe dashamirët edhe njerëzit që duan ta njohin Podujevën, saherë vijnë këtu do ta mësojnë atë leksion që është i domosdoshëm që LDK-ja këtu është bimë e vendit.”

Kandidati Akim Veliu kërkoi që ti jepet besimi, pasi programi që ka shpalosur garanton krijimin e mirëqenies për qytetarët./tvklan.al