Zëvendës presidenti amerikan Josef Biden garantoi sot udhëheqësit më të lartë institucional të Kosovës, se kufijtë e shtetit tonë janë të paprekshëm dhe se pavarësia është e pakthyeshme.
Joe Biden: “Ruajtja e unitetit të Kosovës është një çështje absolute për SHBA-në. Ruajtja e tërësisë territoriale të Kosovës është minimumi të cilin SHBA nuk e ka lënë.”
Tha Biden pas takimit të përbashkët që ka zhvilluar në Prishtinë me presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi. Biden mbajti fjalim edhe para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Zëvendës presidenti amerikan u nderua nga presidenti Sejdiu me mirënjohjen “Medalja e artë e lirisë”.
Hashim Thaçi: “Ne kurrë nuk do ta harrojmë atë çfarë ju dhe vendi juaj keni bërë për ëndrrën e popullit të Kosovës, që kjo ëndërr të bëhet realitet, të bëhet Kosova e pavarur.”
Numri 2 i SHBA-së Josef Biden arrtit në aeroportin e Prishtinës me aeroplanin special Airforce2 në orën 9:45 minuta. Në aeroport ai u prit me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Aty ishte Garda ceremoniale e forcës së sigurisë së Kosovës, duke shënuar herën e parë që kjo Gardë bën pritje që nga themelimi i saj.
Ai u prit nga ministri i Jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni, zonja e parë e Kosovës bashkëshortja e presidentit Fatmir Sejdiu dhe bashkëshortja e kryeministrit Hashim Thaçi.
Nga aeroporti ai fluturoi me helikopter deri në bazën e KFOR-it, prej nga me eskortë shkoi në Kuvendin e Kosovës. Biden u prit në Prishtinë nga mijëra qytetarë që kishin mbushur rrugët nëpër të cilat pritej të kalonte ai. Nëpër rrugë është parë numër i madh i nxënësve që ishin liruar nga shkolla për të nderuar zëvendës presidentin amerikan./tvklan.al