Reshje intensive shiu kanë përfshirë të gjithë vendin tonë këtë të premte. Në disa qytete ka pasur përmbytje të rrugëve duke shkaktuar trafik të rënduar.
Këto janë pamjet që vijnë nga qyteti i Vlorës. Siç mund të shihet, uji ka vërshuar nëpër rrugë duke krijuar mjaft probleme.
Klan News raporton se shumë automjete mbetën nën ujë në rrugën “Albano dhe Romina”, pasi pësuan defekte gjatë tentativës për të kaluar. Nga uji u mbuluan edhe automjetet e parkuara në të dyja anët e rrugës.
Ndërkohë, në të njëjtën rrugë u desh ndërhyrja e zjarrfikësve për të nxjerrë nga një farmaci pronarët e saj, të cilët kishin mbetur të bllokuar brenda.
Për situatën kritike me të cilën po përballet qyteti bregdetar foli edhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha. Ai bëri të ditur se janë evakuuar 22 familje dhe se është kërkuar dhe ndihma e ushtrisë për të përballuar situatën kritike.
“Jemi në bashkëpunim të plotë edhe me institucionet qendrore, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Mbrojtjes Civile sepse realisht është diçka përtej angazhimit tonë. Ne po bëjmë maksimalen, por e shikoni dhe vetë, këto prurje shiu, është pothuajse e pamundur të menaxhohen. Gjithsesi jemi në terren të gjithë, kemi evakuuar 22 familje deri më tani, ndërkohë që do të vendosim në dispozicion edhe konviktet të Shkolla Mjekësore”, tha kryebashkiaku.
Meteorologët thonë se moti i keq do të vazhdojë deri në mesnatë ndërsa të shtunën do të ketë një përmirësim të lehtë. Të dielën do rinisin reshjet e shumta shiut./tvklan.al