Këshilltarët e majtë dhe ata të djathtë në bashkinë e Vlorës do t’i drejtohen dyerve të gjykatës për të zgjidhur  konfliktin mes tyre lidhur me kryetarin e këshillit bashkiak.

Ky post pretendohet nga dy anëtarë të këtij këshilli, Kujtim Sulçe, i zgjedhur rishtaz nga grupi socialist dhe Arben Sinani, përfaqësues i  koalicionit të udhëhequr nga Partia Demokratike. Dhe pas këtyre pretendimeve ja si ka nisur mbledhja e aradhes e këshillit bashkiak.

“I drejtohem kryetarit të bashkisë për ti dhënë fjalën dhe për të vazhduar mbledhjen sipas rendit të ditës   që ju kam thirrur.”

“Unë nuk do t’iu lejoj, nuk të lë se nuk të kam dhënë fjalën ..”

Shpëtim Gjika: “Ti nuk je ai që të më vesh kufirin te thana, jo sot që nuk je kryetar, por edhe dje që ke qenë kryetar harroje ti.”

Konflikti mes palëve  nisi në mbledhjen e datës 24 Shtator, ku grupimi i këshilltareve të djathtë braktisi mbledhjen në shenjë proteste ndaj mungesës së transparencës lidhur me buxhetin. 

Këshilltarët socialistë e quajtën këtë veprim shkelje të hapur të ligjit për funksionimin e këshillit bashkiak dhe pas zgjedhjes së kryetarit të ri, miratuan me shumicë votash vendimet e propozuara, vendime këto që u konsideruan të paligjshme nga prefekti dhe u kthyen për rishqyrtim në mbledhjen e radhës.

“Thërritet një mbledhje duke u zgjedhur, duke u ndryshuar rendi i ditës në një mbledhje që ka mbaruar, duke u rizgjedhur një kryetar, duke vendosur një mocion mosbesimi që të gjitha këto janë të kundraligjshme dhe ne thërritemi këtu nga një kryetar që nuk është i ligjshëm.”

“Zoti Gjika, të lutem edhe njëherë personalisht kërkoj si këshilltar le të marrë mbledhja me prezantimin e preventivave për argumentimin e tyre ti votojnë në qoftë se … me zotin Sinani, sepse me zotin Sulçe unë nuk mund ta vazhdoj të rri më atje.”

Shpëtim Gjika: “Dhe në këto kushte kur ju quani nul kryetarin e ri të Këshillit të Bashkisë, ne quajmë të paligjshëm kryetarin e mëparshëm të Këshillit të Bashkisë, institucioni i prefektit quan të paligjshëm vendimet e këshillit. Institucioni që parashikon kushtetuta e republikës së Shqipërisë është institucioni i gjykatës.”

Këshilltarët e djathtë  kanë akuzuar kryetarin e bashkisë, Shpëtim Gjika se në buxhetin e vitit 2009 kërkoi fonde shtesë për projekte ende të pa miratuara, çka sipas tyre janë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe interesat e qytetarëve./tvklan.al