Policia e Lezhës ka kapur në flagrancë dy të mitur, të cilët sapo kishin vjedhur duke thyer xhamat në një berberhane. Sipas asaj që njofton policia të miturit janë proceduar në gjendje të lirë për shkak të moshës.

Të miturit dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash, mjete të ndryshme pune, 2 celularë, 1 biçikletë dhe sende të tjera, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 të mitur, 17 vjeç dhe 15 vjeç. Dy të miturit u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, afër një berberhaneje, në të cilën dyshohet se pasi kanë thyer xhamat, kanë vjedhur një shumë parash, mjete të ndryshme pune, 2 celularë, 1 biçikletë dhe sende të tjera, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjatë kontrollit fizik, 17-vjeçarit iu gjet një dorezë metalike, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Lezhë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al