Nga data 1 Shkurt, çmimi i energjisë elektrike do të ulet me 10.5% për abonentët familjarë të cilët nuk kalojnë 700 KWh në muaj. Për të diskutuar lidhur me këtë zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, administratori i OSHEE, Enea Karakaçi dhe administratori i OSSH, Blendian Dalipi ndodhen në një takim me punonjës të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.
Balluku gjatë fjalës së saj bëri të ditur se sahatët duhet të maten brenda 30 ditëve kjo për shkak që abonentët të mos humbasin uljen me 10.5% të çmimit për mos kalimin e konsumit mbi 700 KWh në muaj.
Belinda Balluku: Tashmë duke filluar nga data 1 Shkurt OSHEE do të aplikojë një çmim të ri 10.5% më të ulët për të gjithë abonentët familjarë, të cilët janë më shumë se 1 milion ose e thënë ndryshe rreth 95% janë abonentë familjarë. Duke qenë se i kemi vendosur një faturim me kategori konsumi dhe jo fashe do të kërkohet nga ana juaj përpikmëri sa i përket matjes. Do të jetë një matje 30 ditore, nuk duhet të ketë vonesa, pasi nëse ju do të masnit më gjatë se 30 ditë, abonenti mund të kalojë konsumin prej 700 KWh dhe të humbë kështu uljen prej 10.5% të çmimit. Për këtë arsye do të merren një sërë masash që kanë filluar dhe jo vetëm shtimi i rradhëve tuaja, i cili është i domosdoshëm, deri në zgjidhjen përfundimtare të matësve inteligjentë, por edhe masa të tjera administrative dhe teknike.
Në datë 8 Janar ERE morri vendim që të gjithë konsumatorët familjarë që harxhojnë deri në 700 kilovat/orë energji në muaj, nga 1 Shkurti do të paguajnë 8.5 Lekë për kilovat/orë, që do të thotë 1 Lekë më pak sesa aktualisht. Ndërsa ata abonentë që kalojnë mbi 700 kilovat/orë në muaj, do ta paguajnë 9.5 Lekë kilovat/orin për të gjithë sasinë e energjisë së konsumuar.
Ky çmim do të jetë në fuqi deri më 31 Dhjetor 2025 teksa ulja e çmimit të energjisë me këto tarifa ishte propozim i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
/tvklan.al