Ishte vetë Skënder Krasniqi, i cili pasi vrau të birin, biznesmenin Albert Krasniqi njoftoi policinë. Ngjarja e rëndë, e cila ndodhi rreth orës 17:00 të kësaj të mërkure, tronditi Prishtinën. Shkaqet e vrasjes momentalisht janë mister.

Ajo që dihet është se viktima kërkohej nga policia për dhunë në familje dhe para vrasjes mes tyre kishte pasur një debat për këtë shkak. Megjithatë nuk dihet nëse ky ishte shkaku që babai i tij, i dyshuari kryesor i kësaj ngjarjeje, të ndërmerrte aktin e rëndë.

Nga vendi i ngjarjes, gazetarja e Klan Kosova sqaroi se vrasja ndodhi në garazhin e pallatit. Policia dhe prokuroria mësohet se kanë sekuestruar kamerat e sigurisë që ndodheshin në garazh, pasi besohet se e gjithë ngjarja të jetë filmuar.

Gazetarja tha gjithashtu se kishte kontaktuar edhe me të afërm të familjes, por pa mundur të zbulojë se cilat mund të jenë arsyet e krimit.

Të tronditur u shprehën edhe banorët e pallatit ku familja jetonte prej disa vitesh, në katin e katërt të tij. Sipërmarrësi Skënder Krasniqi u arrestua nga policia pas krimit, ndërsa në vendngjarje autoritetet kanë sekuestruar edhe armën e zjarrit me të cilën dyshohet se Krasniqi vrau të birin.

Albert Krasniqi është një emër i njohur për publikun. Ai ka qenë i martuar me ish-Missin Besa Gashi, ndërsa në 2016-n u arrestua për plagosjen me armë zjarri të Noizy-t./tvklan.al